E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fokus/Shahu i presidentit Obama me Rusinë dhe spiunët e saj

Një lojë shahu, e luajtur me aq aftësi saqë vetëm rusët dhe amerikanët mund ta bënin kaq mirë. Kësaj radhe kemi një skakierë të re, pra jo më atë të viteve 50-të apo/dhe të Luftës së Ftohtë, por gjithsesi me të njëjtat karakteristika, me të njëjtët ushtarë: agjentë të fshehtë në Moskë dhe në Uashington. Ai që ka luajtur ka bërë të njëjtat lëvizje si një dekadë më parë, por kësaj radhe me gjeste më të relaksuara, si epoka e re e marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe Rusisë. Një ndeshje që ka pasur një lojë korrekte, e që në fund përfundoi me një barazim, por për amerikanët në fakt, ajo kishte shijen e fitores.
Katër ditë pas shkëmbimit gati kinematografik në Vjenë ndërmjet dhjetë spiunëve rusë dhe katër shtetasve rusë që punonin për Perëndimin, zbulohen detaje të rëndësishme në lidhje me operacionin e FBI-së dhe rolin e Shtëpisë së Bardhë.
është gazeta më e madhe e Amerikës "The New York Times” që i tregon në shkrim të posaçëm në të cilën tregon se si Barak Obama ishte një nga protagonistët e ngjarjes, një lojtar shahu që Kremlini ende nuk e dinte se nuk mund ta luante.
Ekzistenca e një grupi agjentësh rusë “në gjumë” në tokën amerikane ishte zbuluar nga FBI-ja drejtuesve me të lartë të Shtëpisë së Bardhë me në krye të Obamën në shkurt të këtij viti. Puna rutinë e mbikëqyrjes (e cila kishte filluar një dekadë më parë) do të kishte shkuar përpara nëse heshtja, në fund të majit s’do të prishej, pasi policia federale kishte kuptuar se disa spiunë ishin të gatshëm të largoheshin nga Shtetet e Bashkuara.
Kështu, në mes të qershorit, Barak Obama u paralajmëruar nga FBI-ja se do të ndalonte grupin e agjentëve. Për presidentin ky ishte një problem i madh. Operacioni ishte duke u ndërmarrë disa ditë para vizitës zyrtare në SHBA të presidentit rus Dimitri Medvedev. Duke e pritur në Uashington pasi i kishte dërguar në burg dhjetë spiunë, do të ishte e paimagjinueshme. Në qoftë se prangat do t’u viheshin përpara, takimi kishte të ngjarë të mos bëhej.
Kështu edhe marrëdhëniet midis dy vendeve do të tensionoheshin.
Obama është duke u përpjekur për t’i rindërtuar marrëdhëniet me Rusinë, qysh pas kohës së ftohtë që pati me ta Xhorxh W. Bush, dhe mbi të gjitha, ai dëshiron t’i lidhë marrëdhëniet sidomos me njeriun më modern dhe më të hapur me Perëndimin, Dmitri Medvedev, dhe jo me njeriun tjetër të fortë të Moskës, Vladimir Putinin. Pra, me siguri nuk mund të ishte ai që do të dobësonte presidentin rus. Pra, kur FBI-ja e informoi atë se dëshiron të bëjë arrestimet, Presidenti urdhëron që të presin, derisa të mbaronte vizita e planifikuar e Medvedevit, me 24 qershor.
Barack Obama diskuton me anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në dy raste: 11 dhe 18 qershor. Në këtë takim të dytë, çështja është: çfarë është më mirë për t’u bërë me spiunët, pas arrestimit të tyre? Dhe qysh në fillim filloi të marrë formë ideja e një shkëmbimi agjentësh. Dhjetë agjentët, që me karakteristikat e tyre dhe aktivitetet e tyre në Shtetet e Bashkuara nuk ishin me siguri aq të rrezikshme. Ata as që kanë rrëmbyer sekretet industriale apo ushtarake dhe bile nuk kanë bërë asnjë krim; maksimumi që ata kanë dërguar eprorëve të tyre është ndonjë raport i padëmshëm i politikës ndërkombëtare amerikane, dhe këtë Kremlini mund t’ia kërkonte çdo analisti apo gazetari për t’i kuptuar. Pastaj këto janë personazhe të "pavlerë" në sytë e opinionit publik amerikan. Nëse do të ishin të lëshuar, edhe në qoftë se nuk përfundonin në burg, askush nuk do të ankohej për ta.
Tre ditë pas vizitës së Medvedevit në SHBA, FBI i bën arrestimet. Në fillim rusët mohojnë se ata janë agjentë të tyre, por pastaj, përmes kanaleve joformale të autoriteteve amerikane, pranojnë se ata janë dhjetë spiunë të tyret. Dhe ky ishte kushti nistor për të diskutuar mbi fatin e tyre. Në një telekonferencë me administratën e lartë, John Brennan, këshilltari për luftën kundër terrorizmit i presidentit Barack Obama, ngre idenë dhe propozimin e një shkëmbimi me Moskën. Dhe nxjerr një listë me katër emra, zyrtarë rusë që kanë punuar për Perëndimin: Igor V. Sutyagin, i dënuar në Rusi për dhënien britanikëve të informacionit mbi arsenalin ushtarak rus; Sergei Skripal, një tjetër ekspert armësh dhe Aleksandër Zaporozhsky e Gennadi Vasilenko, dy ish-zyrtarë të inteligjencës ruse.
Shërbimi i inteligjencës CIA kontakton Moskën më 30 qershor, tri ditë pas arrestimit dhe propozon një këmbim. Rusët e mendojnë për dy ditë dhe pastaj bien dakord. Më 3 korrik, Leon Panetta, drejtori i CIA-s merr një telefonatë nga homologu i tij rus, Mikhail Fradkov. Të dy diskutojnë detajet e operacionit. Në telefonatën e tretë gjendet një akord që ofron, ndër të tjera, se nuk do të ketë hakmarrje ndaj qytetarëve amerikanë që jetojnë në Rusi.
Dhe kështu kalohet në fazën përfundimtare. Gjithsesi duhet shpjeguar pak marrëveshja për ata që u shkëmbyen. Në burgun jashtë Moskës, ku është mbajtur i arrestuar për disa kohë, Igor Sutyagin në fillim refuzon të nënshkruajë një deklaratë faji. Do ta bëjë këtë vetëm pas pak disa ditësh. Kurse në burgun e Nju-Jorkut, ku ishin duke u mbajtur, spiunët ruse bënin ende rezistencë ndaj këmbimit. Sidomos ata që kishin fëmijë të lindur dhe të rritur në SHBA. Do të duheshin disa takime me konsullin rus për t’i siguruar ata për fatin e tyre. Fëmijët do të shkojnë me ta, ose do të bashkohen me ta në Rusi. Të premten e datës 9 korrik një aeroplan u ngrit në qiell me ngarkesën e spiunëve u largua nga Shtetet e Bashkuara dhe fluturuan drejt Vjenës, ku, në një cep të aeroportit po i priste një njësi ruse që mbante katër agjentët e perëndimit. Procesverbalet dhe shkëmbimi u bënë pa asnjë problem. Të dhjetë zbritën në Moskë disa orë më vonë. Avioni i SHBA-ve u ndal në Londër për të zbritur Sutyagin dhe Skripalin, ndërsa dy të tjerët vazhduan drejt Uashingtonit.
Përfundon kështu në një histori që nëse do të kishte ndodhur në të kaluarën mund të shkaktonte një tërmet mes marrëdhënieve ruse dhe amerikane. Por në Shtëpinë e Bardhë të Barack Obamës dhe as në atë të Medvedevit nuk kishin interes të kishin një tension midis tyre. Kësaj radhe ndeshja e shahut përfundoi me një barazim.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›