E Diel, 1 Nëntor 2026

Universiteti Ndërkombëtar i Tiranës mban konferencën “Si formohet dhe deformohet imazhi i një kombi?”

Dje, në hotel “ Tirana International” , Universiteti Ndërkombëtar i Tiranës organizoi konferencën “Si formohet dhe deformohet imazhi i një kombi? Një vështrim i huaj origjinal për shqiptarët”. Merrnin pjesë në të, përfaqësues të botës akademike brenda dhe jashtë vendit; përfaqësues të lartë të trupit diplomatik në Tiranë; drejtues të lartë të Ministrisë së Integrimit; drejtues e specialistë të institucioneve të tjera të rëndësishme të vendit (+Ministri të tjera); specialistë të kësaj fushe dhe të medias së shkruar e asaj vizive; aktivistë të organizatave të ndryshme joqeveritare që zhvillojnë aktivitet në vendin tonë; studentë e pedagogë të Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës etj..
Në bazën e këtij aktiviteti ishte leksioni i mbajtur nga z. Michel Meyer, i cili jo vetëm u ndoq me interes nga të pranishmit por u pasua edhe nga pyetje e diskutime të shumta. Z. Meyer është lektor për strategjitë e komunikimit në Institutin e Shkencave Politike në Paris, Këshilltar për Qeverinë Franceze dhe Bashkimin Evropian për përhapjen e Sistemit Audiovizual të Jashtëm duke mbuluar njëkohësisht edhe ekspertin ndërkombëtar në këtë fushë. Përveç aktivitetit të tij të shquar në këtë fushë z. Meyer, njihet edhe si shkrimtar nëpërmjet botimit të një sërë romaneve dhe eseve të përkthyera në disa gjuhë.
Në përfundim të leksionit të tij mjaft interesant e të pasur me shembuj nga vende të ndryshme, z. Meyer midis të tjerash tha: “Për një vend ashtu si për një ndërmarrje, të ndërtosh në mënyrë të besueshme dhe të mbrosh imazhin tënd jasht vendit do të thotë të kontribuosh sistematikisht, për të përforcuar efektet e kohezionit dhe të përkatësisë brenda vendit”.
Kjo konferencë nuk është e para në radhën e aktiviteteve të këtij lloji të organizuara nga Universiteti Ndërkombëtar i Tiranës, i cili mban një aktivitet të dendur, të përqendruar kryesisht në fushat e drejtësisë dhe të ekonomisë. Duke patur ndër objektivat parësorë të punës së tij, shndërrimin në një qendër ndërkombëtare të dijes, kulturës e përgatitjes për jetën, Universiteti Ndërkombëtar i Tiranës do të organizojë takime, konferenca, seminare e tryeza diskutimesh mbi tema të tilla të mprehta gjatë gjithë vitit.
Në vijim të qëndrimit të tij në qytetin e Tiranës, z. Meyer vizitoi Universitetin Ndërkombëtar të Tiranës, ku zhvilloi biseda me studentë e pedagogë të pranishëm, në një atmosferë miqëqsore e të përzemërt.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›