Turqia plotëson zbrazëtirën në Ballkan
Liderët e Turqisë, të Serbisë dhe të shteteve tjera të Ballkanit u tubuan këtë fundjavë në Bosnjë e Hercegovinë për të përkujtuar 15-vjetorin e masakrës së Srebrenicës. është kjo një ngjarje që, nga zyrtarët turq, shihet si kurorëzim i një fushate diplomatike rajonale e Ankarasë.
Dhjetëra-mijëra njerëz u mblodhën të dielën e kaluar për të përkujtuar ekzekutimin e rreth 8 mijë burrave e djemve myslimanë nga ana e ushtrisë së serbëve të Bosnjës, e cila gjë nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për ish-Jugosllavinë është vlerësuar si një akt i gjenocidit. Gjatë kësaj ceremonie u varrosën edhe 775 viktima të tjera. Prania e kryeministrit të Turqisë, Rejep Tayyip Erdogan, në këtë funeral, vetëm sa e potencon faktin se si Ankaraja u fut në zbrazëtinë e Bosnjës, e lënë bosh nga dështimi i përpjekjeve të gjata të ShBA dhe Bashkimit Evropian për të siguruar një zgjidhje të re kushtetuese që synon arritjen e stabilitetit në këtë vend ende të përçarë, që përbëhet nga myslimanët, nga serbët dhe nga kroatët e Bosnjës, thonë diplomatët. “Ne bëmë çdo gjë, dhe këtu Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ishin së bashku, por ende nuk arritëm sukses”, pohoi një diplomat i lartë perëndimor në Sarajevë, derisa po fliste për të ashtuquajturin ‘Proces të Butmirit’, që synim ka ndryshimin e Kushtetutës së BeH. Shkak për këtë është se pa pjesëmarrjen e Rusisë, e cila do të punonte në bindjen e liderëve të entitetit serb të Bosnjës, dhe pa Turqinë, e cila do t’iu bënte presion liderëve myslimanë të Bosnjës, marrëveshja “nuk mund të arrihej”, thekson diplomati. Dhe, përderisa procesi ishte stopuar vitin e kaluar, Ankaraja u fut “në lojë” me përpjekjet e saj paralele, gjegjësisht me synimin që liderët e Serbisë, të Bosnjës dhe të Kroacisë të bisedonin mes vete, deklaron ambasadori i Turqisë në Beograd, Suha Umar. Sipas tij, pikërisht për këtë arsye, Turqia “është dashur të intervenojë”.
Gjatë ceremonisë së të dielës presidenti i Serbisë, Boris Tadic, nga disa fitoi njëfarë duartrokitjeje, edhe pse disa të tjerë pyesnin se “ku është Mladic”, raportoi agjencia AP. Komandanti ushtarak i serbëve të Bosnjës, Ratko Mladic, ishte njeriu përgjegjës për operacionin në Srebrenicë. Edhe pse është akuzuar nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë, ai ende mbetet në arrati. Presidenti Tadic premtoi se do të bëjë “çdo gjë që është e mundur” për kapjen e të dyshuarve për krime të luftës. Në muajin mars, Beogradi për të parën herë i dënoi formalisht vrasjet në Srebrenicë. Ishte kjo një lëvizje për të cilën diplomatët perëndimorë thonë se ishte ndërmjetësuar nga Turqia, dhe që kishte për qëllim lehtësimin e rrugës së Serbisë drejt Bashkimit Evropian. Kryeqytetet perëndimore në masë të madhe e kanë mirëpritur ndërhyrjen në rritje të Turqisë në Ballkan, për dallim nga Lindja e Mesme, ku votimi i Ankarasë kundër sanksioneve të OKB ndaj Iranit, që udhëhiqen dhe mbështeten nga Shtetet e Bashkuara, dhe raportet armiqësore në rritje me Izraelin, në Washington kanë shkaktuar brengosje për drejtimin e aleatit kryesor rajonal të tij.
Por, nuk e pranon çdokush rolin në rritje të Turqisë në rajonin që dikur ishte nën pushtimin otoman për mbi pesë shekuj. Lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, ka deklaruar se Ankaraja po vjen atje me një bagazh shumë të madh historik, dhe se ajo po angazhohet ekskluzivisht për interesa të myslimanëve të Bosnjës. Ky konstatim i tij hidhet poshtë nga diplomatët e Turqisë.