E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërcënimet ndaj Tadic, Serbia kërkon ndihmë nga SHBA

BEOGRAD- Serbia u kërkon ndihmë autoriteteve amerikane për të identifikuar se nga vjen kërcënimi ndaj presidentit serb Boris Tadiç që u shfaq në faqen e internetit Facebook.
Mesazhi ishte vendosur nga një grup i panjohur në këtë faqe. Aty shkruhej: “Tadiç, mercedesi i blinduar nuk do të të ndihmojë. Kur të hapësh derën, të pret një snajper.”

Ministri i Brendshëm serb Ivica Daçiç tha se autoritetet po hetojnë kërcënimin e sapo dalë. Por ai tha se u nevojitet ndihma e Departamentit Amerikan të Drejtësisë për të gjetur adresën e internetit të kompjuterit nga është nisur mesazhi.

Rreth 7 vjet me parë kryeministri pro-perëndimor serb Zoran Xhinxhiç u vra nga një snajper, pasi kërcënime të ngjashme dolën në një gazetë të opozitës.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›