E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënimi i bankierit, 20 të shoqëruar

 

Trazhgim Sokolaj

Kërcënimet në adresë të familjes së drejtorit egjiptian të bankës UBA në Tiranë, janë bërë shkak për shoqërimin e 20 personave të dyshuar në ambientet e policisë. Një ditë pas hapjes së dosjes penale për këtë ngjarje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, për akuzën e “shtrëngimit me dhunë për dhënie të pasurisë”, rreth 20 persona janë shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të hetimit, sipas të cilave personat e shoqëruar janë kryesisht njerëz të njohur të bashkëshortes së bankierit egjiptian, Ehad Shukri Saad, 43 vjeç. “Pas shqyrtimit të provave materiale dhe informacioneve të grumbulluara mbi kërcënimin e drejtorit të bankës UBA përmes mesazheve dhe telefonatave të mbërritura në celularin e bashkëshortes së tij Almara Read, është vendosur shoqërimi i 20 personave për t’u pyetur lidhur me ngjarjen”, thanë burimet zyrtare nga hetimi i çështjes. Sipas tyre, të shoqëruarit po pyeten konkretisht lidhur me raportet e tyre me familjen nga Egjipti që banon në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë, si dhe për numrin e telefonit të bashkëshortes së bankierit 43-vjeçar. “Të shoqëruarve po u kërkohet nëse persona të caktuar kohët e fundit u kanë kërkuar ndonjë numër telefoni apo adresë të familjes së dëmtuar”, thanë burimet nga hetimi. Sipas tyre, hetuesit po verifikojnë numrat telefonikë, nga të cilët u dërguan mesazhet kërcënuese në celularin e të shoqes së bankierit, megjithëse ka dyshime se autorët e shantazhit mund të kenë përdorur dokumente false gjatë regjistrimit të kartave SIM që kanë përdorur në ngjarje.
Bankieri i kërcënuar
Katër ditë më parë, rreth orës 15:00, në celularin e gruas së drejtorit të bankës UBA kanë mbërritur tre mesazhe telefonike. Në mesazhet e dërguara në celularin e Almara Read, persona të panjohur kërkonin një shumë prej rreth 100 mijë euro, duke kërcënuar se në rast se shuma nuk paguhej, jeta e vajzës së vogël të çiftit egjiptian ishte në rrezik serioz. Kërcënuesit paralajmëronin bankierin nga Egjipti, i cili ndodhet me qëndrim në Tiranë prej 14 vitesh, që të mos lajmëronte policinë dhe as persona të tjerë, pasi një gjë e tillë do ta përkeqësonte edhe më shumë situatën. Pas përsëritjes së mesazheve në adresë të drejtorit të Bankës së Bashkuar Arabe, UBA, policia është vënë në dijeni të ngjarjes dhe menjëherë ka filluar hetimet. Shërbimet e rendit kanë marrë në ruajtje çiftin egjiptian bashkë me vajzën e tyre, ndërsa policia e Tiranës ka filluar hetimet për zbulimin e autorëve të ngjarjes. Dosja penale u dërgua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila filloi menjëherë hetimet duke marrë në pyetje fillimisht drejtorin e bankës dhe bashkëshorten e tij.  

Gjobëvënia
Persona ende të paidentifikuar kanë dërguar katër ditë më parë mesazhe kërcënuese në adresë të gruas së drejtorit të bankës UBA në Tiranë. Mesazhet janë dërguar njëri pas tjetrit në një interval të shkurtër kohor dhe më pas janë përsëritur duke shtuar kërcënimet për jetën e vajzës së çiftit egjiptian nëse shuma e kërkuar nuk dorëzohej.

Denoncimi
Bankieri 43-vjeçar, i cili është rezident në Tiranë prej 14 vjetësh, ka denoncuar në polici mesazhet kërcënuese të dërguara në adresë të tij. Drejtori i UBA-s, shtetas egjiptian, i lindur në Kajro, ka lajmëruar policinë dhe më pas ka depozituar aty deklarimet e tij dhe të bashkëshortes për mënyrën si ka ndodhur ngjarja e katër ditëve më parë.

Personazhi
Drejtori i bankës UBA, familja e të cilit është kërcënuar seriozisht nga persona ende të panjohur, ka 14 vite qëndrim si rezidentë në Shqipëri. Vetë 43-vjeçari që ka denoncuar gjobëvënien mësohet se është në detyrën e drejtorit të bankës që prej vitit 1991. Ai ka mohuar të ketë pasur probleme, detyrime financiare apo mosmarrëveshje që mund të kenë sjellë ngjarjen.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›