Pistoleta me pako postare nga Holanda, dënohet trafikanti
TIRANE – Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda dënoi dje me 5 vjet heqje lirie, Agim Shëngjonin, i akuzuar për dërgimin me postë nga Holanda të 5 pistoletave. Me vendimin e djeshëm, togat e zeza të Apelit kanë lënë në fuqi vendimin e dhënë për këtë të pandehur në gjykimin e tij në Shkallën e Parë. Vendimi i dhënë në Shkallën e Parë në 23 dhjetor të vitit 2008 është apeluar nga vetë i pandehuri. Agim Shëngjoni është arrestuar nga policia në 19 prill të vitit 2008, në kushtet e flagrancës në postën e qytetit të Elbasanit. Në momentin e arrestimit ai po merrte në dorëzim një pako, brenda së cilës ndodheshin pistoletat e dërguara nga jashtë vendit. Nga hetimet e kryera nga Prokuroria për rastin në fjalë, rezulton se pakoja ishte nisur nga Holanda, nga vetë Shëngjoni, por me një emër të rremë. Sipas Prokurorisë, ai kishte përdorur emrin e rremë Artur Deja dhe pakon e kishte nisur drejt adresës së tij në qytetin e Elbasanit. Po sipas organit të akuzës, pas dërgimit të pakos, ai ka udhëtuar nga vendi nordik drejt Shqipërisë për të pritur atë. Pas mbërritjes në rrugë ajrore në Shqipëri, prania e pistoletave dhe fishekëve është evidentuar nga detektori i aeroportit të Rinasit. Në vijim pakos nuk i është ndërprerë dërgimi në destinacion. Por policia në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda kanë organizuar një operacion “dorëzimi të kontrolluar” në postën e Elbasanit. Të vendosur në pozicione, oficerët e policisë kanë prangosur Shëngjonin menjëherë pasi ai ka tërhequr pakon me armë. ar.ba