Fajin e ka kjo Parajsë
Në rastin tim gjithë fajin e kish vera. Askush veç verës. Fjalës verë, që në shqip i ka të dy kuptimet, siç edhe shprehet në Fjalor. Verë emërtohet edhe stina (stina e dytë dhe më e ngrohtë e vitit, që vjen pas pranverës - në gjysmërruzullin verior fillon më 21 qershor e mbaron më shtator), por edhe pija (pije alkoolike që nxirret zakonisht nga tharbëtimi i mushtit të rrushit; një sasi e kësaj pijeje sa nxë një gotë). Falë kësaj polisemie të fjalës verë, edhe unë këtë verë mësova një gjë që nuk e dija.
Ndodhi teksa ndiqja njërën prej intervistave të shumta të televizioneve, që në stinën e verës i zë thatësira dhe për t’u flladitur krijojnë forume e mediume ‘kompetentësh’, sa për të mbushur atë hapësirë të pafundme që quhet kohë televizive.
Në këto formate gjejnë vend e gëlojnë edhe rekomanduesit buzëvarur, të pakënaqurit nga mbileximi i librave, të cilët nuk lënë rast t’u shpëtojë pa shpallur - thuajse qenkësh ndonjë sihariq - se lexuesi shqiptar është larguar nga libri..., se sot nuk lexohet më, si dikur..., se leximi ka vdekur..., e kështu me radhë.
Pasi e kaloi këtë fazë mllefi, rekomanduesi televiziv në fjalë, rekomandoi tri librat e tij pëlqyer që do ish mirë t’i lexonim dhe e mbylli monologun e vet imponues duke thënë:
- Se këta libra, sigurisht, shoqërojnë mirë edhe verën.
Do isha treguar më pranues po të dëgjoja nga kompetenti televiziv se helmet shërojnë apo se mërzia shtyhet me duhan e kafe shqeto. Por se lexuesi ishte zhdukur dhe se librat shoqëronin mirë verën si të qenkëshin...!
Sapo isha kthyer nga Dhërmiu, ku verojmë prej vitesh dhe ku, për habinë dhe kënaqësinë time kisha vënë re, se ndryshe nga vitet e tjerë, në hije, në çadra dielli, në tryeza lokalesh e në shezlongë, pashë më shumë njerëz me libra se njerëz me fjalëkryqe, tavlla dhe domino.
Mbase për shkak të këtij vëzhgimi vetjak, që ka të ngjarë të jetë edhe paksa emocional edhe ca i rrejshëm edhe i pjesshëm, nuk desha ta pranoj as se lexuesi shqiptar nuk lexonte dhe se paskësh vdekur dhe as tri rekomandimet letrare të rekomanduesit televiziv, që do të shoqëronin verën.
Dhe aty, m’u tek të bëja lojë fjalësh me veten. Mirë verën, po cilën nga të dy verërat e shqipes shoqëronin mirë librat? Stinën apo pijen? Gjer dje kisha besuar se disa lloje ushqimesh shoqëroheshin edhe me verë, të bardhë apo të kuqe, sipas llojit të ushqimit. Po që librat të shoqëronin verën, nuk e dija! Kur kish ndodhur kjo? Të paskësh pasur kaq sens të hollë rekomanduesi kompetent sa të përdorte metaforën e librit si një ushqim që hahej me sy dhe shëndoshte mendjen? Po nëse qenkësh vërtet ashtu e nëse libri, sipas tij, qenkësh edhe ushqim, përse rekomanduesi përzgjidhte dhe i ofronte lexuesit një ushqim aq plastik, OMGJ-ra, gatesa sintetike e distike për të shoqëruar verën?
ë tri librat e rekomanduar prej tij ishin ca histori të palatuara mirë. Ca rrëfenja bajate të bojatisura nga roza te bloza. Ca blablablara me djaj e djallushka, me zemërthyer, me zemërrëmbyer, me qytet e me seks, me tradhti e me ballina plot ishuj blu dhe oaze ku mrizojnë djem me tatuazhe e vajzat me naze e çapraze? Mos vallë lexuesi shqiptar i verës qe tjetër dhe krej ndryshe nga ai i tri stinëve të tjera? Mos vallë lexuesi shqiptar, ai që përtypte dhe bluante gjithë vitit letërsi të fortë e të mirë, që shndërruar befas në një gjytyrym, në një kokëgdhe që nuk i nxë më truri?! Të qe bërë në një qenie që ka nevojë veç të harrojë e të shullëhet nën diell me gishtin në gojë? Mos vallë lexuesi im, ai tek i cili i kisha varur shpresat dhe besoja se po vinte, i kishte humbur krejt shqisat e shijimit të leximit të letërsisë së mirë dhe unë nuk e dija gjë?! Apo mos ishte lodhur aq shumë gjatë gjithë vitit nga puna intensive dhe e rëndë mendore sa tani qe vënë vetëm në kërkim të limonadave dhe gallatave, siç i quajti rekomanduesi tri librat e rekomanduar prej tij?
Por ka edhe një të vërtetë në këtë lapsus. E vërteta vjen prej përtej dhe i jep të drejtë kompetentit. Vjen prej asaj që kemi qejf ta quajmë botë e qytetëruar-oksident. Kështu pra, edhe gjetiu, në botë, lexuesit në verë lexojnë libra më të lehtë. Po.
Ke të drejtë Arbiter Elegantiarum! Kritik dhe gjykues i paanshëm, po, ke të drejtë. Ashtu është. Ato lexojnë dhe evropianët. Libra më të lehtë, por jo aq sa gjithçka të duket se telenovelat e ekranit (ku u shfaq rekomanduesi) të shndërrohen në telenovela me shkrim. Libra më të lehtë lexojnë, por jo aq sa muhabetet e lëna trashëgim me shkrim të rekomandohen për letërsi që shoqëron madje dhe verën. Të tillë lexojnë, por ato nuk i rekomandon kush për letërsi e aq më pak të zgjedhur.
Por, si të mos mjaftonte me kaq, formula e gjakut të prishet fare kur ndeshen me minutazhe speciale, dedikuar politikanëve profesionistë, atyre të karrierës, të cilët mirë që na rrëfejnë se lexojnë ende dhe nuk u është shuar ashku i librit dhe i leximit, por të yshtur nga intervistuesi apo të zilepsur nga rekomanduesit kompetentë, vihen në garë për të rekomanduar edhe këta librat e tyre të pëlqyer, që nga bërsia e ullirit e gjer tek fara e shalqirit, që nga lufta e thatësira në Nepal e gjer tek përplasja e qytetërimeve dhe ndërzimi artificial.
Të vjen keq, më shumë turp se sa keq, kur dëgjon të tilla këshilla të cilave u kushtohet vëmendje, sidomos kur këto kohë ka pasur edhe botime, mes së cilëve marr guximin të përmend revistën e përkatërmuajshme Mehr Licht nr. 32 – një tempull prej letre dhe shkronjash, ku gjen me siguri letërsi të zgjedhur shqiptare dhe të huaj, kur është botuar Mario Vargas Llosa, Harold Pinter, Antologjia e Evropës Juglindore, Harry Mulisch, Ian McEvan e plot të tjerë që për shkak të rekomanduesve, nuk më kanë rënë tashpërtash në sy as mua dhe as lexuesit që pret rekomandimet. Atij lexuesi që, këtë radhë dhe jo thjesht prej asaj çka pashë në Dhërmi, më pëlqen t’i mbaj anën, t’i dal në krah, njëlloj si të qe një njeri i gjakut, apo familjar imi që cenohet pa të drejtë.