Sot në Kuvend, shqyrtohet nen për nen buxheti i shtetit për vitin 2012
Kuvendi i Shqipërisë pritet të nisë sot shqyrtimin nen për nen të projektbuxhetit të shtetit 2012. Pas miratimit në parim në parlament me votat e shumicës, në seancën e 25 nëntorit, gjatë kësaj jave draft/buxheti i ri u shqyrtua nen për nen në komisionet parlamentare. Të shtunën, komisioni parlamentar i Ekonomisë, në cilësinë e komisionit përgjegjës, miratoi nen për nen vetëm me votat e mazhorancës ligjin më të rëndësishëm financiar të vitit, të cilin ia përcolli për miratim seancës të së hënës.
Buxheti i ri parashikon që totali i të ardhurave që do të mblidhen për vitin 2012 të shënojë një rritje prej 8 për qind, ose 356 miliardë lekë, me një rendiment fiskal prej 25.5 për qind të PBB-së. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat parashikohen 251 miliardë lekë. Të ardhurat nga fondet speciale do të kenë një ritëm rritje me 5.6 për qind.
Shpenzimet e buxhetit të shtetit parashikohet të jenë në parametrat që të mundësojnë një deficit jo më shumë se 3 për qind, ose 397 miliardë lekë, që përbëjnë 28.5 për qind e PBB-së.
Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka bërë të ditur se objektivat që do të përmbushë buxheti i shtetit i vitit 2012 do vazhdojnë të jenë ruajtja e stabilitetit makroekonomik, por për të mbajtur lart kërkesën e brendshme do të vijohet me rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe mbështetjen me rreth 5 për qind e PBB-së të investimeve publike. Opozita, ashtu siç veproi edhe me votimin në parim në Kuvend, është deklaruar kundër. Sipas tyre, drafti nuk është realist dhe rrezikon rritjen e borxhit publik të vendit, mbi tavanin e vendosur prej 60 për qind të PBB-së.