E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënohen bizneset

Vigan Ukshini, pronar i një biznesi të vogël në Prishtinë, është tatimpagues i rregullt. Ai me të dëgjuar se Administrata Tatimore e Kosovës do të pajisë bizneset me numra fiskalë, ka aplikuar dhe tashmë e ka numrin. Por është skeptik se numri fiskal do t’iu ndihmojë diçka bizneseve, përveç se do t’i sigurojë ATK-së një evidencë më të saktë për numrin e tyre dhe më shumë të hyra.

“Kur ata kanë menduar për numra fiskalë, është dashur të mendojnë edhe për neve dhe të na i ulin tatimet”, thotë ai.

Aksioni që secili biznes të pajiset me numra fiskalë ka filluar pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Administratës Tatimore dhe Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, për pajisjen e bizneseve me numra fiskalë. MTI-ja do t’i kushtëzojë bizneset e reja ta marrin numrin nëse duan të regjistrohen, ndërsa bizneset ekzistuese rrezikojnë me marrje të licencës, nëse nuk pajisen me numër fiskalë.

Zëvendësdrejtori në ATK, Sakip Imeri, thotë se përafërsisht deri tani janë lëshuar rreth 33 mijë numra fiskalë.

“Po ashtu janë duke u shqyrtuar me mijëra aplikacione të tjera”, ka thënë për “Express”, Imeri.

Krejt kjo ka ardhur pasi në Ministri janë regjistruar 94.953 biznese, kurse në ATK vetëm 40 mijë. Imeri thotë se kjo diferencë mes bizneseve të regjistruara dhe atyre që paguajnë tatim, ka shtyrë ATK-në ta marrë një hap të tillë.

“Synimi është të kemi një listë të saktë të bizneseve që i kryejnë obligimet”, tha ai.

Ndërkaq, bizneset e reja me rastin e regjistrimit, brenda 15 ditëve janë të obliguara që të aplikojnë për pajisje me numër fiskal. Ne të kundërtën, thotë Imeri, do të gjobiten me nga 500 euro, nëse deri në fund të këtij viti nuk aplikojnë për numër fiskal.

Përveç gjobave, këto biznese do të vendosen në një listë të zezë, që t’iu bëhet me dije bizneseve se nuk duhet të kenë transaksione më to. Gjithashtu, këtyre bizneseve, ATK-ja nuk do t’ua pranojë shpenzimet, e as TVSH-në e zbritshme. Zyrtarët e ATK-së pranojnë se vetëm përmes vizitave vëzhguese kanë mundur të vërejnë nëse bizneset ushtrojnë veprimtari ilegale. Një burim brenda kësaj administrate ka treguar se si inspektorët kanë shkuar te një person për t’i kërkuar shlyerjen e tatimit, por kanë dalë të zhgënjyer, kur kanë vërejtur se këtu fare nuk ka biznes. Një të moshuari dikush ia ka marrë letërnjoftimin dhe në emër e në adresë të tij e ka regjistruar biznesin.

Nga ana tjetër, përfaqësueset e bizneseve dyshojnë se vetëm numri fiskal do të zgjidhë gjithçka. Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar kontroll më të thellë mbi to. Sekretari Berat Rukiqi fajëson Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, e cila, sipas tij, nuk ka bërë sa duhet për vendosjen e kontrollit mbi bizneset ilegale.

“Në Kosovë ka shumë biznese që figurojnë në regjistrat e MTI-së, që në fakt janë fiktive, apo disa të tjera iu shmangen tatimeve”, thotë Rukiqi.
Ndërkaq, Aleanca Kosovare e Bizneseve, pajisjen me numër fiskal e sheh si përpjekje të Qeverisë që të mbikëqyrë të gjitha aktivitetet e bizneseve. Kryetari i saj, Agim Shahini, theksoi se në këtë mënyrë nuk mund të rritet kultura fiskale.

“Duhet të gjenden forma për rritjen e vetëdijes”, tha Shahini.

ATK-ja përmes numrit fiskal do t’i këtë shënimet e sakta për bizneset aktive dhe pasive. Prandaj, edhe do të ketë më lehtë që të identifikojë tatimpaguesit dhe shkallën e detyrimit të tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›