Tirana e fascinoi, Bojan Stankovic’in

Express: Keni qenë për herë të parë në vizitë në Shqipëri. Cilat janë përshtypjet tuaja?
Bojan Stankoviç: Kanë qenë shumë zyrtare takimet dhe mjaft impresiounuese dhe sa i përket vetë Shqipërisë dhe Tiranës, kam përshtypje të mira, kam pasur mjaft kohë që ta njoh qytetin dhe popullin i cili jeton atje.
Express: A keni paramenduar se do të shkoni në Tiranë?
Bojan Stankoviç :Ata njerëz që mendojnë se Shqipëria nuk ka asnjë rol në këtë vend, nuk janë seriozë. Nuk e kemi zgjedhur rastësisht Shqipërinë. Shqipëria ka mjaft ndikim te shqiptarët e Kosovës, sepse bëhet fjalë për një popull, i cili jeton i ndarë në dy vende. Mirëpo, kjo ka ndodhur me shekuj me parë, sepse ka edhe popuj të tjerë në Ballkan, të cilët jetojnë të ndarë nëpër regjione.
Express: Si parti që jeni në koalicion, a e shihni se mund të luani një rol si urë ndërmjet dy popujve?
Bojan Stankoviç : Ne duhet të shikojmë ardhmërinë dhe të vazhdojmë përpara. Kjo përfaqëson ardhmërinë e tërë rajonit. Nuk është arsyeja të ndalemi vetëm te konfliktet, por edhe të ndërtohet prosperiteti për të gjithë. Me këtë vizitë kemi dashur të tregojmë se dora jonë është e shtrirë për të gjithë që së bashku të ndërtojmë edhe të sotmen, edhe të nesërmen.
Express: Si janë marrëdhëniet Beograd-Tiranë?
Bojan Stankoviç : Ashtu siç ka Tirana ndikimin më të madh ndaj shqiptarëve të Kosovës, ashtu ka ndikim edhe Beogradi te serbët e Kosovës. Thjesht, njerëzit duhet të kuptojnë se është gjë serioze kjo. Shpresojmë se kjo vizitë do të ketë rezultat dhe shpresojmë dhe do të jemi shumë të lumtur që të ketë vizitë në mes të presidentit Tadiq dhe Topi. Po ashtu, është mirë që eventualisht presidentët e dy vendeve të vizitojnë Graçanicën për të mundur edhe aty të flasim rreth problemeve të serbëve të Kosovës. Për këtë kemi folur edhe në Tiranë që të inkurajojnë Qeverinë e Prishtinës që të bëjë dialog me serbët e këtij vendi.
Express: A keni marrë përgjigje konkrete nga Beogradi për këtë vizitë?
Bojan Stankoviç :Absolutisht që ekziston kjo. Ata janë të gatshëm që të ndihmojnë në çdo kuptim. Në bisedime, bashkëpunim dhe bile edhe ndihmë financiare që të jetë e drejtuar ndaj serbëve të Graçanicës.
Express: A ka qenë befasi kur 400 mijë euro janë dhënë për Graçanicën?
Bojan Stankoviç : Normalisht që kemi qenë të lumtur. Kjo është premtuar gjatë vizitës së Berishës në Prishtinë dhe ne i kemi pritur këto mjete. Kjo mund të shihet nga aspektet e ndryshme. Kjo është një gjë që prezanton një mesazh inkurajues që ekziston një vullnet i mirë. Buxheti, si në Kosovë, ashtu edhe në vendet e tjera në rajon është mbyllur në muajin nëntor apo dhjetor dhe kështu që Qeveria e Tiranës ka pasur kohë që të bëjë ndihmë për serbët e Kosovës në Graçanicë. Kjo shumë do të ndahet në mënyrë publike dhe transparente dhe shpresoj se do të na ndihmojnë edhe të tjerët, sepse në komunën e Gracanicës na pret një punë e madhe dhe një ndërtim i madh në çdo kuptim.
Express: A ka pasur ndonjë reagim zyrtar përpos mediave, a mendon se edhe Beogradi duhet të ndihmojë?
Bojan Stankoviç : Presim që edhe Beogradi së shpejti të bëjë hapat e duhur që t’iu ndihmojë serbëve të Kosovës për një jetë më të mirë. Ne jemi të përgatitur për një lloj të tillë të bisedimeve që ka të bëjë me çështje teknike, siç është ndërtimi i shkollave, terreneve sportive, ndërtimin e objekteve kulturore. Mund të ndihmojnë tani kur politika më lehtë e bën punën e vet. Shpresoj se edhe nga kjo anë të vijnë ndihma nga ana e mjeteve financiare, kështu që po presim se kush do të tregojë vullnet të mirë.
Express: A ka pasur reagim nga Beogradi për vizitën tuaj?
Bojan Stankoviç : Edhe kryeministri i Beogradit më ka thënë se çka do që bëni, është rëndësi që ju të dini se ajo që po bëni është e duhur. Besoj se është një potez i mirë dhe nuk është në pyetje çështja e ndjenjave, me rëndësi është të ketë rezultate pozitive. Normalisht nuk ka ndonjë reagim negativ, të paktën jo nga ata njerëz që merren seriozisht me politikë.
Express: Jeni kryetar i Gracanicës, si do të funksionojë Komuna dhe cilat janë prioritetet e saj?
Bojan Stankoviç: Normalisht se kjo është shumë vështirë që ta themi shkurtimisht. Për momentin duhet të vendosim administratën komunale dhe të ndajmë administratën nga Komuna e Prishtinës, Gracaniçës dhe Fushë-Kosovës. Ligji është i precizuar. Populli është optimist dhe kanë shpresë në bashkësinë ndërkombëtare. Tash na presin mjaft punë në ndërtimin e strategjisë financiare, demarkacioni i kufijve të komunës, plani urbanistik dhe thjesht duhet të fusim në funksion tërë kapacitetin që kemi për të punuar në të gjitha sferat. Ajo çka e pret Komunën e Graçanicës, është që do të jetë një komunë që do të funksionojë bazuar në ligjet, të cilat janë në fuqi. Jemi të hapur për të gjithçka. Në këtë komunë serbët janë shumicë dhe nuk do të ketë absolutisht kurrfarë diskriminimi dhe të kundërtën. Kabineti im dhe Komuna ime do të jenë të hapur për të gjithë. Shqiptarët e Kosovës i kemi thirrur të marrin pjesë në planet tona komunale. Mendoj që Komuna e Gracanicës ka shanse të mëdha për përmirësim dhe shpresoj se do të shfrytëzohen në mënyrë të duhur. Pa shumë politikë, do të jemi në terren me njerëzit dhe do t’i identifikojmë të gjitha problemet. Jam shumë i lumtur me atë se çka kemi bërë deri më tani. Unë jam mjaft ambicioz që për katër vitet e ardhshme do të përparojë komuna dhe në vitin 2011 i kam dhënë detyrë vetes që kjo komunë të jetë më e mira në Ballkan. Ky shans ekziston, sepse bashkëpunimi është me të gjithë. Mendoj se me punën tonë do të jemi një shembull i mirë për të tjerët.
Express: Çka do të bëni me koalicione?
Bojan Stankoviç : Sa i përket punës së koalicioneve, jemi të hapur për bisedë, absolutisht me të gjithë. Sa na përket neve, mund të ketë koalicion me të gjitha partitë të cilat dëshirojnë koalicion.
Flet kryetari
Slobodan Petroviç është kryetar i partisë SLS, e cila për katër vjetët e ardhshme do ta qeverisë Komunën e Graçanicës.
Express: Është rritur reputacioni i partisë, çka ka ndikuar në suksesin tuaj?
Slobodan Petrovic: Si kryetar i kësaj partie jam shumë krenar dhe i lumtur para së gjithash, sepse jo vetëm që kam bashkëpunëtorë, por edhe miq të cilët kanë futur në punë edhe veten edhe familjen për të arritur në rezultate të mira. Vizita në Shqipëri është shumë me rëndësi, sepse ka qenë historike, sepse për herë të parë është formuar Komuna e Graçanicës dhe partia jonë ka mbështetje absolute nga populli. Partia jonë ka nevojë më shumë të punojë dhe më pak të flasë dhe jam u shumë falënderues ministrave të cilët janë angazhuar për ne. Ky është një motiv i mirë për serbët në Graçanicë, të cilët për herë të parë kanë dalë në votime dhe kjo na motivon shumë dhe është e nevojshme për ne që merremi me politikë, si parti dhe si njerëz të cilët kanë vullnet të mirë për qytetarët të cilët presin nga ne. Presim ndihmë nga Qeveria e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare për një fillim të mirë. Konkretisht në vitin 2010 presim përmirësim të jetës së njerëzve. Formimi i Komunës është me rëndësi, sepse është qendër e serbëve, të cilët jetojnë në Kosovë. Në Komunën e Shtërpcës do të jetë shumë interesante, pasi që aty do të udhëheqim në koalicion me partinë PDK, e cila ka shumicën e Kuvendit Komunal. Në komunat e tjera kemi fituar shumicën absolute. Është një moment historik, me të cilin hapim një faqe tjetër. Qëllimi kryesor është interesimi për popullin. Jemi shumë krenarë për çka kemi punuar.