E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërcënohet me jetë drejtori i bankës

 

Trazhgim Sokolaj

Prokuroria e Krimeve të Rënda filloi hetimet dje për kërc-ënimet serioze për jetën në adresë të një shtetasi egjiptian me qëndrim në Tiranë dhe me detyrë drejtor i Bankës së Bashkuar Arabe, UBA. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë, ku mëngjesin e djeshëm është thirrur të dëshmojë shtetasi egjiptian Ehad Shukri Saad, 43 vjeç, bashkë me të shoqen dhe vajzën e tij. Për më tepër se tri orë, shtetasi egjiptian me banim në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë, dëshmoi në zyrat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Një grup special hetimi është ngritur në këtë institucion menjëherë pas marrjes së informacioneve nga policia e Tiranës, për kërcënimet me vrasje ndaj 43-vjeçarit të lindur në Kajro. Organi i akuzës tha se të dhënat e referuara nga policia, por edhe vetë drejtori i bankës UBA, kanë konfirmuar se dhjetëra mesazhe e thirrje telefonike kanë mbërritur në adresë të tij nga persona ende të paidentifikuar. Në mënyrë të prerë, autorët e ngjarjes i kanë kërkuar drejtorit të bankës një shumë prej rreth 100 mijë euro. Sipas rrëfimit të egjiptianit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, në rast refuzimi për dorëzimin e shumës së kërkuar, gjobëvënësit kanë kërcënuar me vrasje dhe me veprime të dhunshme ndaj të afërmve të 43-vjeçarit dhe anëtarëve të familjes së tij. Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Sektorin e Antiterrorit në Policinë e Tiranës, kanë identifikuar dje dy numra celularë nga të cilët janë kryer thirrjet telefonike kërcënuese në adresë të egjiptianit me banim në Tiranë.
Dëshmia në Prokurori
Drejtori i bankës UBA, Ehad Shukri Saad, u paraqit dje që në orët e para të mëngjesit në zyrat e hetuesve të Krimeve të Rënda së bashku me gruan e tij. Një grup hetuesish u angazhuan njëherësh në marrjen e dëshmisë dhe në verifikimin e numrave nga të cilët janë bërë thirrjet dhe janë dërguar mesazhet kërcënuese në adresë të 43-vjeçarit nga Kajro e Egjiptit. Ai ka dëshmuar bashkë me të shoqen e tij, për shkak se bashkëshortja ka qenë ajo që ka marrë në celularin e saj shumicën e mesazheve kërcënuese, që kanë mbërritur në familjen e dëmtuar prej ngjarjes. Kreu i bankës UBA dhe bashkëshortja e tij kanë dëshmuar për rreth tri orë, se kërcënimet serioze ndaj tyre janë kryer gjatë dy javëve të fundit. Sipas dëshmisë, persona të panjohur prej bashkëshortëve nga Egjipti kanë dërguar në adresë të tyre mesazhe në gjuhën shqipe, duke kërkuar përmes shantazheve e kërcënimeve rreth 100 mijë euro. Pas dokumentimit të dëshmisë së dhënë nga bashkëshortët që shoqëroheshin edhe nga vajza e tyre, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka sekuestruar në cilësinë e provave materiale mesazhet nga celulari i Almara Read, gruaja e drejtorit të bankës.      
Hetimi i gjobëvënies
Pasi kanë shqyrtuar tre mesazhe telefonike të mbërritura në adresën e çiftit egjiptian tri ditë më parë, hetuesit e kanë klasifikuar ngjarjen sipas veprës penale “shtrëngim me dhunë për dhënie të pasurisë”. Dyshimet e para të Prokurorisë janë përqendruar tek persona të njohur të drejtorit të bankës UBA, duke qenë se gjobëvënësit kanë qenë në dijeni të numrit të bashkëshortes së tij, ndërsa në mesazhet e dërguara ata kanë përmendur edhe vajzën e zyrtarit të institucionit financiar. Një përmbajtje e tillë në mesazhet kërcënuese të dërguara në adresë të bankierit egjiptian është bërë shkak për dyshime, sipas të cilave autorët e ngjarjes janë të informuar sadopak për personat ndaj të cilëve kanë kërkuar shumën financiare.

“Je në rrezik nëse lajmëron policinë”

TIRANE – Gjatë dëshmisë së dhënë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, bankieri egjiptian ka treguar se gjobëvënësit e kanë kanosur duke i thënë se jeta e tij dhe e familjes ishte në rrezik në rast se ai lajmëronte policinë. Bankieri mësohet se është kërcënuar të dorëzojë shumën e kërkuar brenda një afati kohor sa më të shpejtë, ndërsa kërcënuesit i kanë kërkuar të mos merrte asnjë kontakt me organet e policisë, pasi një gjë e tillë do ta përkeqësonte edhe më shumë situatën. Megjithatë 43-vjeçari është paraqitur në polici dhe Prokurori duke denoncuar shantazhin e ushtruar ndaj tij dhe duke kërkuar zbardhjen e shpejtë të ngjarjes.

Antiterrori: Po hetojmë telefonatat kërcënuese

TIRANE - Antiterrori i Tiranës nis procedurat për vënien në përgjim të numrit të telefonit që ka kërcënuar drejtorin Ekzekutiv të Bankës së Bashkuar të Shqipërisë, Elhad Shukri Saad. Burime nga policia bënë të ditur se kjo është e vetmja mënyrë për të zbuluar personin që fshihet pas mesazheve dhe telefonatave kërcënuese ndaj egjiptianit dhe gruas së tij, që banojnë prej disa vitesh në kryeqytet, në rrugën “Myslym Shyri”. Oficerët e policisë, të cilët po hetojnë këtë rast ende nuk kanë persona të dyshuar në lidhje me kërcënimet që i janë bërë egjiptianit Shukri Saad, duke i vënë gjobë 85 mijë euro në këmbim të jetës së tij. Familja e drejtorit Ekzekutiv të Bankës së Bashkuar të Shqipërisë është marrë në mbrojtje nga policia, ndërkohë që Antiterrori ka nisur hetimet intensive që prej ditës së mërkurë, kur ai denoncoi rastin. Nga ana tjetër, hetimi ka vijuar me një kërkesë të prokurorit të çështjes, i cili ka kërkuar pranë një kompanie celulare për identifikimin e numrit, nga i cili janë nisur mesazhet kërcënuese për familjen e drejtorit të bankës. Kështu, pritet identifikimi i këtij personi dhe më pas shoqërimi i tij për zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje. Gjithashtu, për provë materiale janë ruajtur edhe mesazhet kërcënuese të mbërritura si në telefonin e Elhad Shukri Saad, ashtu edhe në telefonin e bashkëshortes së tij Almara Read.                                       e.d

Kërcënimet, policia merr në mbrojtje drejtorin e bankës

TIRANE – Krahas me hetimet e filluara për zbardhjen e ngjarjes, Policia e Shtetit ka marrë edhe masat e nevojshme për garantimin e jetës së drejtorit të bankës UBA. Mësohet se një grup oficerësh të specializuar kanë marrë detyrën për të ruajtur bankierin Ehad Shukri Saad, gruan e tij dhe vajzën deri në përfundim të hetimeve për këtë çështje. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit, sipas të cilave, nga shqyrtimi i mesazheve dhe komunikimeve që gjobëvënësit kanë pasur me bankierin egjiptian rezident në Shqipëri, është vlerësuar se ndaj tyre ekziston rrezik serioz për jetën. Për këtë shkak, grupi i oficerëve të policisë shqiptare është ngarkuar të ruajë çiftin egjiptian dhe vajzën e tyre në banesë dhe në çdo lëvizje të tyre në kryeqytetin shqiptar. Policia mësohet se ka ndjekur procedurën urgjente të vendosjes së shërbimeve të ruajtjes pranë banesës së 43-vjeçarit nga Egjipti, ndërsa më pas janë marrë masat e nevojshme për realizimin e ruajtjes fizike edhe gjatë lëvizjeve të bashkëshortes dhe vajzës së drejtorit të bankës UBA në Tiranë. Krahas verifikimeve në pista të tjera hetimore, Prokuroria dhe Policia janë duke mbajtur në vëzhgim persona konkretë të dyshuar me precedentë të mëparshëm penalë në vepra të ngjashme si gjobëvënia ndaj drejtorit të Bankës së Bashkuar Arabe.                t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›