E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku Shqipëri-Mali i Zi,pranga 25 anëtarëve të bandës

 

Etleva Delia

Një operacion i përbashkët shqiptaro-malazez ka shkatërruar një rrjet të trafikut të drogës, të cilët përdornin Shqipërinë si vend tranzit për kalimin e drogave në drejtim të Evropës Perëndimore. Bilanci i hetimeve 6-mujore të Policisë së shtetit shqiptar dhe asaj të Malit të zi, ka qenë 25 persona të arrestuar, të gjithë shqiptarë të Malit të Zi, sekuestrimi i 35 kilogramë bimë narkotike, kanabis sativa, si dhe sekuestrimi i 70 mijë eurove dhe 7 automjeteve. Burime nga policia bënë të ditur se ndër 25 personat e arrestuar, njëri prej tyre ishte oficer i Policisë së Malit të zi dhe një tjetër zyrtar i Agjencisë së Sekuestrimit të Pasurive. Të njëjtat burime pohuan se në mes të personave të arrestuar janë edhe grupet e trafikantëve dhe të gjithë janë arrestuar në territorin e Malit të Zi. Personat e arrestuar, të cilët kryenin aktivitetin e jashtëligjshëm, përdornin territorin e vendit tonë, si transit, për të kaluar bimën narkotike në drejtim të vendeve perëndimore. Gjithashtu përveç Shqipërisë ata trafikonin edhe nëpërmjet Bosnjës dhe Kroacisë. Hetimi për arrestimin e këtyre personave kishte disa muaj që ka filluar por ditën e djeshme, falë bashkëpunimit ndërmjet dy policive është bërë e mundur përfundimi me sukses i këtij operacioni.
BASHKEPUNIMI
Operacioni i përbashkët, që përfundoi me arrestimin e 25 personave, u parapri nga një takim i zyrtarëve të Policisë së Malit të Zi, Prokurorit Special të Luftës Kundër Krimit të Organizuar me drejtues të lartë të Policisë shqiptare dhe përfaqësues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë disa ditë më parë. Në këtë takim të dyja palët shkëmbyen informacione, të cilat çuan në përfundimin me sukses të këtij operacioni. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se këta persona gjatë vitit 2008 dhe fillimit të vitit 2009 kanë trafikuar një sasi të konsiderueshme kanabis sativa. Në momentin e arrestimit, atyre u janë sekuestruar 35 kilogramë kanabis sativa, 70 mijë euro dhe 7 automjete. Ndërkohë burime nga policia bënë të ditur se hetimet nuk kanë përfunduar me kaq. Pritet që të zbulohen bashkëpunëtorët e tyre në Shqipëri, në Bosnje dhe në Kroaci, vende ku ata kalonin drogën për ta trafikuar.

“Shqipëria jo vend tranzit i drogës”

Vetëm disa ditë më parë, në një konferencë për shtyp, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi, komentoi raportin më të fundit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për drogën, sipas të cilit Shqipëria nuk figuronte më në listën e vendeve trazit të drogës. Raporti konfirmon se që nga viti 2007 kemi një devijim të rrugës së tranzitimit të drogës nëpërmjet Shqipërisë, ose siç thotë raporti tashmë rruga tradicionale është ajo e Ballkanit verior Turqi-Bullgari–Rumani-Hungari dhe më pas Austri. Në ndryshim nga raportet e mëparshme, ku problematika e Shqipërisë ishte evidente në të gjithë raportin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›