LSI, protestë me moton “Berisha ik” më 15 mars
LSI i bën thirrje të gjithë opozitarëve të protestojnë më 15 mars kundër qeverisë, si shkaktare e tragjedisë së Gërdecit. Kryetari i LSI-së Ilir Meta, gjatë një konference për shtyp tha dje se motoja e protestës paqësore duhet të jetë “Berisha ik”. “Me rastin e 1-vjetorit të tragjedisë së Gërdecit, në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, si forca kryesore opozitare në vend prej një viti, si forca e parë, e cila e vuri gishtin mbi Sali Berishën si kryeshkaktarin e kësaj tragjedie, si forca që kërkoi një hetim parlamentar për tragjedinë e Gërdecit, që nuk u realizua kurrë, për shkak të bashkëpunimit për ta mbuluar tragjedinë dhe shkaktarët e vërtetë të saj, unë ju bëj thirrje jo vetëm anëtarëve dhe simpatizantëve të LSI, por të gjithë opozitarëve, që më 15 mars të gjithë të bashkohemi nën moton: “Berisha ik”, tha Meta gjatë komunikimit me gazetarët. Sipas kreut të LSI-së, itinerari i protestës së kësaj partie do të jetë mes sheshit “Nënë Tereza” dhe Kryeministrisë. “Pasdite në hapësirën mes sheshit “Nënë Tereza” dhe Kryeministrisë, do të protestojmë nën moton “Berisha ik” për të nisur kështu fushatën e largimit të Sali Berishës nga drejtimi i Qeverisë së vendit”, tha Meta. Në këtë mënyrë, LSI nis sensibilizimin e qytetarëve për të evidentuar momentet më kritike të kësaj qeverisje, siç është ajo e tragjedisë së Gërdecit, në të cilën humbën jetën 26 shtetas. “Zgjedhjet e 28 qershorit tashmë janë shansi i shqiptarëve për të hequr nga qeverisja një Kryeministër të papërgjegjshëm, që jo vetëm i ka sjellë atyre kaq probleme, por ka nxirë edhe imazhin ndërkombëtar të vendit”, tha Meta.