E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetim djalit të ambasadorit, falsifikoi dosjen e kredisë

 

Sektori i Antikrimit Ekonomik në policinë e Tiranës filloi dje procedimin penal ndaj të dyshuarit Gazmend Qesja, djali i ambasadorit të Shqipërisë në Malajzi. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare, të cilat thanë se ditën e djeshme ka filluar procedimi penal me akuzën falsifikim dokumentesh ndaj të dyshuarit Gazmend Dilaver Qesja, pasi nga hetimet paraprake dyshohet se ai ka përdorur dokumente të parregullta në aplikimin për marrjen e një kredia me vlerë 6 mijë euro në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë. Personi i dyshuar sipas burimeve të policisë, është djali i ambasadorit të Shqipërisë në Malajzi, Dilaver Qesja, i cili më parë ka qenë edhe deputet i Partisë Demokratike për Krujën. Sinjali i parë për ngjarjen ka mbërritur në polici nga vetë banka, e cila kishte analizuar dokumentet e paraqitura nga i dyshuari për marrjen e kredisë. Gjatë verifikimit të dosjes së depozituar prej tij në kërkesën për tërheqjen e parave në formë kredie, specialistët e bankës kanë gjetur parregullsi dhe dyshime për falsifikim dokumentesh. Menjëherë është lajmëruar policia e Tiranës, e cila ka bllokuar dokumentet e dyshuara. Specialistët e Sektorit Kundër krimit Ekomomik kanë ekspertuar dokumentet dhe shkresat në fjalë duke arritur në përfundimin se shkresat e garancisë së paraqitur për kredinë ishin të manipuluara. Dosja ndaj djalit të ambasadorit tonë në Malajzi është dërguar për ndjekje penale në Prokurori. Organi i akuzës pritet të vlerësojë materialet e referuara nga policia dhe më pas do të marrë një vendim në lidhje me dosjen. Policia tha ndërkohë se djali i ambasadorit, i cili aktualisht banon në Tiranë është hetuar në gjendje të lirë, ndërsa mbetet në vlerësimin e Prokurorisë një vendim në lidhje me këtë çështje. Sipas të dhënave zyrtare nga policia, ky nuk është rasti i parë i ndjekjes penale për Gazmend Qesen me akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Sipas një komunikate zyrtare të Ministrisë së Brendshme, rezulton se më 22 mars 2005 rreth orës 23:00, komisariati nr.3 i policisë në Tiranë ka ndaluar shtetasin në kërkim Gazmend Dilaver Qesja, 26 vjeç, banues në Krujë. “Ky person është ndaluar sepse dyshohet si autor i falsifikimit të dokumenteve zyrtare, vepër penale e parashikuar nga neni 191 i K.Penal”, thuhet në komunikatën zyrtare të Ministrisë së Brendshme të datës 22 mars 2005. e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›