E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënoi me granatë, i iku policisë

Durrës, 17 gusht – Një ngjarje e rëndë tronditi në orët e vona të së hënës banorët e Sukthit të Durrësit. Burime konfidenciale konfirmuan për TVNews24 se një person, që dyshohet si autor i një grabitje dhe plagosjeje me armë, kërcënoi policinë me granatë në dorë, derisa arriti të çaje rrethimin dhe te largohet në drejtim te paditur.

Ngjarja ndodhi rreth orës 22:20 minuta në qendër të Sukthit, zonë e populluar me dyqane dhe bar kafe, kur një person ende i paidentifikuar kërcënoi policinë se do të shpërthente granatën në rast ndërhyrjeje nga forcat speciale. Pas minutave të tëra të kërcënimit me granatë në dorë, agresori ia doli të arratiset dhe të shpallet në kërkim nga policia.

Personi që kërcënoi policinë me granatë mendohet se disa orë më parë ka grabitur një pikë të "Western Union" në Sukth. Më pas ai ka qëlluar me armë të tipit automatik jashtë godinës, ku si pasojë ka mbetur i plagosur një drejtues taksie që ndodhej me automjetin e parkuar aty pranë. Menjëherë autori u largua nga vendi i ngjarjes, ndërsa taksisti i plagosur në këmbë u dërgua në spitalin e Durrësit dhe jeta e tij nuk është në rrezik. Policia e sinjalizuar për ngjarjen identifikoi autorin dhe u vu në ndjekje të tij. Pasi e lokalizoi në zonën e Sukthit, personi i dyshuar nxori një granatë dhe kërcënoi se do e hedhë atë në drejtim të policisë.

Nga verifikimet e bëra më pas, u dëshmua se autori nuk ka mundur të grabisë paratë në  "Western Union" pasi ishte pikasur në kohë nga shërbimi i sigurisë së bankës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›