E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërcënoi udhëtarët, policia prangos vëllain e të dyshuarit

Një 37-vjeçar nga fshati Barruç i Komunës Bushtricë të Kukësit është arrestuar për armëmbajtje pa leje, ndërsa vëllai i tij është shpallur në kërkim për kanosje me armë. Policia e Kukësit u vu në lëvizje dje, pas një informacioni se udhëtarët e linjës Ujmisht-Kukës ishin kanosur me armë në vendin e quajtur Skavicë. Pas kësaj ngjarjeje, policia shkoi në fshatin Barruç në shtëpinë e shtetasit Alban Tota, 26 vjeç, pasi ky ishte personi i dyshuar për kërcënimin me automatik. Por kur shkoi në shtëpi, policia gjeti vetëm vëllain Luan Totën, 37 vjeç, të cilin e arrestoi pasi pas një kontrolli të kryer gjeti një armë pistoletë "Zastava", si dhe disa fishekë që mbaheshin pa leje. Luan Tota u arrestua për armëmbajtje pa leje, ndërsa vëllai i tij më i vogël është shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje dhe kanosje me armë. Policia po heton nëse kemi të bëjmë me një tentativë grabitjeje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›