E Diel, 1 Nëntor 2026

Kultura bankare e financiare që na mungon

ADRIAN CIVICI 

Në aktivitetin tonë të përditshëm, qoftë si qytetarë, biznesmenë ...konsumatorë, tregtarë apo blerës të vegjël, qoftë edhe thjesht si pensionistë e të papunë, ka një interes të përditshëm për tre monedhat kryesore me të cilat ne veprojmë në treg apo mbajmë kursimet tona. Hapja ekonomike e financiare e vendit, zgjerimi i tregtisë, efekti i remitancave që vijnë nga emigracioni, kreditë dhe normat e interesit, kursi i këmbimit, fakti që të tre monedhat qarkullojnë lirisht në xhepat dhe dyqanet tona etj., na bëjnë çdo ditë të interesuar për “vlerën” e tyre. Cila është monedha më e leverdishme për të marrë kredi? Në çfarë monedhe t’i mbaj kursimet në bankë apo në shtëpi? Bëra mirë apo keq që prenotimin e shtëpisë e bëra në këtë apo atë monedhë? Si pritet të shkojë puna e dollarit, euros apo lekut në 6 muajt apo vitin e ardhshëm? “E tmerrshme, i kisha gjithë kursimet në dollarë amerikanë dhe humba 30% të vlerës së tyre nga zhvlerësimi i tij këto muajt e fundit”. “Unë i këmbeva të gjitha në euro që të shpëtoja nga dollarët, se ato morën fund”, më thoshte një ditë një nga kolegët e mi, ndërkohë që dikush tjetër “krenohej se gjithçka e kishte në euro dhe ndjehej shumë i mbrojtur” etj. Secili nga ne ka qenë direkt apo indirekt çdo ditë e çdo muaj përpara dilemave të tilla. Çdo njëri nga ne ka marrë “vendime” në përgjigje të këtyre pikëpyetjeve të përditshme. Por sa të sakta kanë qenë ato? Si mund të jemi të sigurt se kemi marrë vendimet më të përshtatshme? Apo thjesht, në fund të “operacioneve” vetëm kemi konstatuar nëse kemi qenë aq “inteligjentë” sa duhet apo jo?
Kjo situatë e re në të cilën gjendemi aktualisht është e lidhur ngushtë me zhvillimin e tregjeve dhe “produkteve e shërbimeve” financiare, me aktivitetin bankar në përgjithësi dhe zgjerimin e sistemit të kreditit në veçanti, e varur nga ecuria e monedhave dhe ekonomive më kryesore të botës, e ndikuar nga një vendimmarrje që është larg dhe e pandikueshme nga ana jonë. Kjo situatë e re kërkon mbi të gjitha një informacion të përditshëm, të specializuar e profesional sa më të hapur për “publikun” e gjerë, kërkon adoptimin e mjaft instrumenteve e mekanizmave në shërbim të secilit nga ne qofshim biznesmenë, punonjës buxhetorë, blerës apo shitës, depozitues apo kredimarrës, pensionistë apo të papunë. A e kemi realisht mundësinë që të disponojmë një informacion të tillë, të shpjeguar thjeshtë dhe lehtësisht të aksesueshëm? Pa dyshim që jo. Aq më tepër që për ta patur këtë lloj informacioni nuk mjafton një burim apo institucion i vetëm.
Në vendet e zhvilluara e ashtuquajtura “kulturë ekonomiko-financiare për publikun e gjerë” është shumë e zhvilluar jo vetëm në nivelet e qarqeve të larta politike, ekonomike, financiare e akademike, por mbi të gjitha edhe tek qytetari i thjeshtë, tek individi dhe familjet, të cilët vazhdimisht formohen e informohen mbi zhvillimet e pritshme ekonomike e financiare, mbi ecurinë e monedhave dhe kursin e këmbimit, mbi vlerat e bursës, mbi ecurinë e vlerës së aksioneve në tregjet financiare, mbi mënyrat më të mira se ku mund të investohen kapitalet sado të vogla apo të mëdha qofshin ato etj. Ka ardhur koha që kjo lloj eksperience apo praktike të shtrihet gjerësisht edhe në Shqipëri. Natyrisht, zgjidhja nuk mund të mendohet e të jetë sot për nesër apo vetëm me një element. Le të analizojmë disa të tillë.
Së pari, kultura dhe njohuritë e nevojshme në marrëdhëniet me bankat. Pjesa dërrmuese e njerëzve kur depozitojnë apo marrin kredi në një bankë, jo vetëm që nuk lexojnë në detaje kontratën me bankën dhe kushtet e kredisë, por nuk kanë asnjë njohuri paraprake se çfarë është “libori” dhe “euribori”, “norma bazë e interesit”, “bonot e thesarit dhe interesat e përfituara nga blerja e tyre”, se si funksionon sistemi i depozitave pa afat, atyre mujore, tremujore apo vjetore, se kur dhe si do ta përfitojë interesin, se si janë parashikimet për inflacionin dhe si preket kredia e tij nga kjo, se çfarë pasojash mund të ketë kur e merr kredinë në një monedhë tjetër nga monedha që ka të ardhurat bazë etj. Mjafton të asistosh një ditë në një sportel të zakonshëm banke që të konstatosh se sa “keqkuptime” ka midis bankës dhe klientëve për këto probleme, se sa “dëshpërime” apo “lumturime” të momentit prodhohen spontanisht në këto sportele. Por, përveç “injorancës” apo mungesës së informacionit të klientëve, rol negativ në këtë këndvështrim luan dhe mungesa e informacionit në sasinë dhe kohën e duhur që duhet të japin vetë bankat për klientët e tyre si dhe për publikun e gjerë. Është tjetër gjë të bësh një publicitet apo promovim të një produkti e shërbimi të caktuar financiar, nëpërmjet të cilit bankat përballojnë konkurrencën dhe zgjerojnë tregun e tyre, dhe tjetër gjë, që përtej joshjesh dhe avantazheve, klienti nuk disponon gjithë informacionin dhe “skenarët” e mundshëm të fatit të parave apo fitimeve të tij.
Së dyti, mjetet dhe instrumentet për përhapjen dhe edukimin e publikut me kulturën bazë e të nevojshme bankare e financiare. Megjithëse tashmë në disa programe mësimore apo lëndë të veçanta në sistemin tonë shkollor ka filluar trajtimi i temave e njohurive të kësaj natyre, përsëri mund të pohojmë pa ekuivok se raporti ndërmjet përhapjes së veprimeve e kontakteve me bankat dhe monedhat e ndryshme të popullsisë shqiptare është shumë më i madh e negativisht disproporcional me njohuritë që disponojmë apo që serviren në ndihmë të publikut të gjerë. Mjafton t’i hedhësh një sy faqeve kryesore të gazetave kryesore në vende të ndryshme të botës dhe menjëherë do shikosh informacione e rubrika të përditshme për kursin e këmbimit, vlerat e euriborit dhe liborit, ecurinë e bursave kryesore, vlerën e aksioneve, bonot e thesarit, rekomandime për investime të ndryshme, përqindjet e interesit, vendimet kryesore të politikave monetare, ecurinë dhe tendencat e inflacionit, “gjurmimin” hap mbas hapi të deklaratave e vendimeve të guvernatorëve të bankave qendrore dhe drejtuesve të bankave të tjera tregtare apo investimeve, kombinimet më të suksesshme të përdorimit të parasë së lirë, indekset e ndryshme financiare, etj. Pothuajse çdo javë në këto gazeta ka analiza e komente të gjëra mbi këtë tematikë, pa folur këtu për suplemente të vazhdueshme, mjaft të divulguara në funksion të përmirësimit të kulturës bankare e financiare të publikut të gjerë. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për televizionet. Akoma nuk kemi asnjë rubrikë periodike me funksion diskutimin dhe analizat mbi problemet bankare e financiare, mbi formimin dhe informimin e qytetarit shqiptar me njohuritë specifike në këtë fushë. Në Shqipëri ky lloj informacioni e kulture është mjaft skeletik dhe i pamjaftueshëm. Eksperiencë mjaft pozitive është ajo e Bankës së Shqipërisë, që prej disa vjetësh ka një program të gjerë aktivitetesh e politikash në ndihmë të edukimit të publikut me këtë lloj kulture të domosdoshme nëpërmjet botimeve divulgative, broshurave e fletëpalosjeve, aktiviteteve me shumë grup-mosha e kategori sociale në gjithë territorin e vendit etj.
Së treti, mungesa e një profili të konsulentëve financiarë në shërbim të publikut dhe biznesit. Në Shqipëri ka shumë pak ose pothuajse aspak studio apo zyra të specializuara për konsulencë e rekomandime për vendime që kanë të bëjnë direkt me veprimet me bankat apo tregjet e tjera financiare. Ka ardhur koha që ky lloj “specialiteti” të jetë shumë më prezent në jetën tonë të përditshme. “Konsulentët financiarë” janë gjithashtu edhe një mungesë e madhe në diplomat apo specializimet që japin universitetet tona. Thellimi i profilizimit të studentëve të drejtimit financë banka apo menaxhim biznesi në drejtimin e analistëve dhe konsulentëve financiarë do të ketë një impakt pozitiv në ndihmë të biznesit dhe qytetarit shqiptar për t’i përdorur më me efektivitet paratë dhe kapitalin e vet. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›