“Zbardhja e Gërdecit sjell qeveri tjetër”
Zbardhja e plotë e tragjedisë së Gërdecit dhe aferës së armëve drejt Afganistanit do të sjellë në Shqipëri një qeveri tjetër. Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, tha dje në një prononcim për mediat se do të jenë disa ministra që do të largohen nga posti i tyre pas hetimeve që po zhvillohen. “Do t’i japim besim Prokurorisë të hetojë mbi cilindo imunitar dhe po ju them që nuk është një ministër, janë disa për këtë çështje. Do doja t’u thosha që përfundimi i hetimeve do të sjellë për shqiptarët jo vetëm të vërtetën, por dhe një qeveri tjetër nga kjo që kemi. Mjafton t’ju sjell në vëmendje deklaratën e fundit të nënsekretarit amerikan të shtetit, që zbardhja e krimit shtetëror të Gërdecit do të tronditë qeverinë”, tha Braçe. Sipas deputetit të PS-së, Kryeministri Berisha gënjeu në Parlament ndërsa fliste për reagimin e tij të menjëhershëm pas denoncimeve të Kosta Trebickës. “Kryeministri pohoi dje, më në fund pas 6 muajsh, që Kosta Trebicka ka qenë një qytetar i ndershëm, që e ndihmoi atë vetë të zbulonte aferën e madhe të trafikut të armëve, por të cilin kryeministri nuk e mbrojti, pavarësisht se i shërbeu për të zbuluar këtë aferë”, theksoi Braçe.