E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënon kriza e energjisë, KESH pa para, HEC-et pa ujë

Korporata Elektorenergjitike Shqiptare ka filluar importet masive të energjisë. Periudha e artë e reshjeve dhe eksportit ka përfunduar. Liqenet po shkojnë drejt kufirit kritik dhe KESH po blen sot gjysmën e energjisë që duhet për konsum. Në vështirësi financiare, KESH pritet të kërkojë subvencion nga financat e drobitura të qeverisë! 

Tiranë – Teksa ekonomia shqiptare po vuan pasojat e forta të krizës globale, që kanë përgjysmuar rritjen ekonomike dhe kanë vënë në vështirësi financat e qeverisë, Shqipërisë po i kanoset një tjetër rrezik që mund të ketë pasoja fatale. Prej disa muajsh Korporata Eelektroenergjetike, KESH, ka filluar importin e energjisë elektrike nga jashtë. Fillimisht në sasira të vogla, por muajin e fundit KESH është duke importuar gati 10 milionë kilovat orë në ditë, ose gjysmën e konsumit. Pas dy vitesh situate të mirë hidrologjike, që u shoqëruan edhe më një sërë përmbytjesh masive, vendi tani është përfshirë nga një thatësirë disa mujore. Burime nga Korporata bëjnë të ditur se rezervat në basenet e hidrocentraleve kanë arritur pikat më të ulëta dhe për të përballuar konsumin vendas, KESH ka filluar importet masive. Energjia ka qenë këto dy vjet të krizës një zbutës i pasojave dhe një nga zërat e rëndësishëm të ekporteve. Vitin e kaluar eksportet e KESH arritën në 120 milionë euro, duke qenë një nga kontribuesit kryesorë në rritjen ekonomike të vendit për shkak të prodhimit të lartë që u ndikua nga situata e mirë hidrike. Por tani situata është përmbysur dhe energjia mund ta zhysë ekonominë në një spirale të rrezikshme. Të premten, Ministri i Bujqësisë Genc Ruli ishte në Shkodër për të inspektuar punimet në ndërtimin e argjinaturave. Pyetjes së banorëve për marrjen e dëmshpërblimit të përmbytjeve të fundit, ai iu përgjigj: Paratë do ti merrni, por KESH në këto momente nuk ka para. Ky është edhe konfirmimi i parë publik dhe zyrtar për krizën financiare të KESH-it

Pasojat

Edhe pas privatizimit të shpërndarjes, tek çekët e CEZ, qeveria nuk e zgjidhi problemin e subvencionimit të energjisë nga buxheti. Në fakt skema që është miratuar në kontratën e shitjes së CEZ, ia lë sërish shtetit, më saktë korporatës elektroenergjetike shqiptare, barrën për të siguruar furnizimin e vendit me energji. Dy vitet e kaluara KESH përjetoi një situatë të mirë financiare për shkak të reshjeve dhe prodhimit, pasi nuk pati nevojë të blinte energji nga jashtë dhe për rrjedhojë të merrte para nga buxheti. Por periduha e artë përfundoi. Sot KESH importon mesatarisht 600 mijë euro në ditë energji nga jashtë.  Burime thonë për gazetën IDEA se në vështirësi për fonde, KESH po negocion me banka private për të siguruar paratë për importin e energjisë. Por, nëse thatësira do të zgjasë, ashtu siç është parashikuar nga institutet e metrologjisë, që flasin për një dimër të thatë, KESH do detyrohet të kërkojë subvencion nga buxheti i shtetit, i cili tani ndodhet në periudhën më të vështirë që nga viti 1997. Kur kanë kaluar 9 muajt e parë, 2011 është konfirmuar përfundimisht si viti më i keq i financave publike, të paktën në dekadën e fundit. Në total si 9 mujor të ardhurat janë rritur me vetëm 1.1 për qind, rritja më e ulët që nga viti 2001, dhe gati 5 herë më e vogël edhe se sa 2009-a që është viti i dytë më i vështirë për financat e vendit. Kjo situatë po e detyron qeverinë, që me borxhin në nivelet maksimale, të ndërmarrë shkurtime drastike të shpenzimeve, të cilat po godasin tërësisht investimet publike. Në shtator shteti investoi në ekonomi, vetëm gjysmën e parave që kishte parashikuar në buxhet. Ndërsa krahasuar me një vit më parë invegstimet muajin e kaluar ishin 2.2 herë më të ulëta. Në këto kushte fondet shtesë për energjinë do ishin një goditje shumë e fortë për buxhetin. Dhe nëse qeveria do refuzojë të japë para, atëherë në vend do rikthehen ndërprerjet dhe pasojat për ekonominë mund të jenë edhe më të mëdha. Sipas Entit Rregullator, një kilovat orë energji e munguar ka një kosto ekonomike prej mbi 1 euro. Në kushtet e rritjes së ngadaltë ekonomike kjo mund të ishte fatale.

Më e vështira është përpara

Ciklet metrologjike në Shqipëri janë të tilla që dy vjet kanë reshje të bollshme dhe më pas shoqërohen nga një periudhë thatësire 5 vjeçare. Ekspertët mendojnë se Shqipëria ka hyrë në ciklin e thatë, çka do të thotë se vendit do ti duhet të importojë sasi të mëdha energjie përgjatë viteve në vijim. Në vitin 2007 importet e energjisë ishin 200 milionë euro. Në këto kushte që ndodhen financat e vendit do të mjaftonte më pak se gjysma e asaj fature, që buxheti të hynte në krizë. Në zyrën e kryeministrit prej disa javësh mbërrijnë nga Korporata Energjetike raporte shqetësuese. Tashmë një gjë është e qartë. Përvec krizës, ekonomisë do i duhet të përballet edhe me një tjetër rrezik, jo të vogël.

Shkrime të tjera me interes:

  1. Berat, rikthehen ndërprerjet e energjisë elektrike
  2. Trojka për krizën në Greqi: Dy hapa para dhe një pas
  3. Përmbytjet në Tajlandë, uji kërcënon seriozisht Bangkokun

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›