E Diel, 1 Nëntor 2026

ISHP: Në Shqipëri nuk ka asnjë rast me grip derri

Në Shqipëri nuk ka asnjë rast të konfirmuar të prekur nga virusi A (H1N1), deklaroi për mediat specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino duke pohuar se strukturat shëndetësore kanë rritur vigjilencën, kjo edhe për shkak të sezonit turistik që kushtëzon ardhjen e turistëve në vend. Sipas znj. Bino, ISHP po bën survejancën (mbikqyerjen) e rasteve me grip, qoftë dhe atij të zakonshëm. "Udhëzimet e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë kërkojnë të rritet vigjilenca lidhur me rastet e dyshuara me grip në përgjithësi si dhe për gripin A (H1N1), siç njihet ndryshme si "gripi i derrave", tha  Bino, e cila konfirmoi se, "kemi të bëjmë me pandemi në të gjithë botën që sipas udhëzimit të fundit të OBSH-së ky grip nuk mund të ndalohet në kufij. Ne bëjmë survejancën e gripit edhe gjatë sezonit të verës, gjë, e cila nuk është kryer në vitet e tjera, për vetë faktin se sëmundjet kanë sezonalitetin e tyre", tha ajo. Deri tani, sipas saj, janë marrë rreth 70 monstra nga të cilat 61 janë proceduar dhe pjesa tjetër është në proces. Znj. Bino sqaroi se "9.9 % e këtyre monstrave kanë rezultuar me gripin e zakonshëm, 70 % e tyre është dërguar në Qendrën e Referencës në Rumani, ndërsa konfimimi do të bëhet në Qendrën e Referencës në Londër". Gjatë ditës së premte, sipas saj, është ekzaminuar një rast, tek një student, që ka rezultuar tip i virusit A, por që mendohet se është tip i zakonshëm, ndërkohë që po vazhdojnë procedurat e mëtejshme për të konfirmuar diagnozën. Ky rast ka paraqitur shenja të gripit të zakonshëm dhe nuk ka lidhje epidemiologjike me vendet e prekura, apo kontakte me të sëmurë, që mund të kenë ardhur nga jashtë.  Gjatë javës së kaluar ISHP ka analizuar 23 monstra për virusin A (H1N1), ndërkohë që synon marrjen e të paktën 10 monstrave në javë. Për këtë, marrja e monstrave do të shtrihet jo vetëm tek spitalet, por edhe tek mjekët e familjes.  Përsa i përket situatës së virusit A (H1N1) në Europë, i vetmi vend që ka qarkullim komunitar është Mbretëria e Bashkuar. Gjithashtu, edhe në Greqi ka numër të lartë rastesh, në krahasim me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit (rreth 80 % e rasteve janë të importuara), por nuk ka qarkullim të mirëfilltë komunitar (qarkullim të shpeshtë nga njeriu tek njeriu).

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›