Zgjedhjet në PS, Rama mbledh deputetët

Kryetari i Partisë Socialiste mbledh deputetët për të diskutuar mbi përzgjedhjen e emrave të 36 kryetarëve të rretheve
Diskutohen emrat e propozuar nga baza socialiste, javën e ardhshme Kryesia miraton kandidaturat
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mblodhi dje deputetët socialistë për të diskutuar mbi përzgjedhjen e emrave të 36 kryetarëve të rretheve. Paraditen e djeshme, në ambientet e selisë rozë, deputetët e grupit Parlamentar Socialist, të ndarë sipas qarqeve iu janë drejtuar zyrës së kryesocialistit për të diskutuar mbi kandidaturat e krerëve të rretheve.
Burime nga selia rozë bëjnë të ditur se këto takime vijnë në kuadër të përmbylljes së fazës për marrjen e propozimeve nga baza socialiste. Ishte angazhimi i deputetëve socialistë në bazë, ai që solli përmbylljen përfundimtare të procesit të propozimeve.
Kjo, pasi, megjithëse ishte parashikuar data 12 qershor kur do të dorëzoheshin të gjitha propozimet, disa prej rretheve nuk i kanë dorëzuar ato dhe ishte angazhimi i deputetëve në bazë që solli përfundimin e procesit.
Mësohet se meqenëse organizmi i Tiranës ka një tjetër strukturë organizimi për shkak edhe të ndarjes administrative sipas njësive vendore, kryeqyteti nuk është futur në procesin e konsultimeve për kryetarë, por rrethinat e saj. Që do të thotë se janë mbledhur propozimet e anëtarëve socialistë dhe të asambleve të rretheve, do të jenë ato që propozojnë kandisurat përkatëse.
Në takimin me kryesocialistin, deputetët kanë shqyrtuar listat e kandidatëve të ardhurave për rrethin e tyre. Zyrtarët e lartë socialistë, sipas qarqeve, kanë dhënë opinionin e tyre për të propozuarit që kërkojnë të bëhen kryetar të rrethit.
Në takim është analizuar figura e gjithsecilit, vlerat që ato kanë, kontributet që kanë dhënë për partinë dhe angazhimin në bazën e Partisë Socialiste. Takimi midis liderit të socialistëve, Edi Rama, dhe deputetëve të Grupit Parlamentar Socialiste bëhet vetëm pak ditë përpara kalimit të emrave në Kryesinë e Partisë Socialiste.
Diskutimi në strukturat socialiste për propozimet do të zhvillohet javën e ardhshme, pas kthimit të kryesocialistit nga takimi në Shtetet e Bashkuara në Amerikës. Në këtë mënyrë, përpara procesit të miratimit të kandidaturave Edi Rama, si kryetar i Kryesisë së PS, zhvilloi mbledhjen e konsultimit me deputetët socialistë.
Me hyrjen në fuqi të statutit të ri të PS, të miratuar në Kongresin e 18 prillit, kjo parti ndodhet në një fazë të re, ku strukturave të saj i shtohen edhe 36 kryetarë rrethesh, të cilët do të zgjidhen nga anëtarësia.
Për të qëllim, ishin të angazhuar të gjithë të deleguarit e Kryesisë, drejtuesit politik të qarqeve, deputetët dhe të gjithë anëtarët e Asamblesë, të cilët u shpërndanë në të gjithë Shqipërinë për të marrë mendimin e bazës.
Propozimet e kryetarëve të rretheve vijnë nga baza e Partisë Socialiste dhe më pas kandidaturat do t'i nënshtrohen një analize. Do të jetë struktura drejtuese e selisë rozë, konkretisht Kryesia e Partisë Socialiste, që do të merret me propozimet e ardhura dhe do të bëjë përzgjedhjen.
Krahas miratimit të propozimeve nga struktura drejtuese e selisë rozë, konkretisht Kryesia e Partisë Socialiste, që do të merret me propozimet e ardhura dhe do të bëjë përzgjedhjen, ka edhe një tjetër hallkë për përfundimin e këtij procesi.
Miratimi i 36 kryetarëve të rretheve do të bëhet me anë të një votimi të fshehtë nga anëtarësia socialiste. Me ndryshimet e reja statusore, krerët e rretheve marrin kompetenca më të gjera.
Rrjedhimisht, sipas dokumentit themeltar të PS, me zgjedhjen e tyre si kryetar rrethi, individi është automatikisht anëtar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Kjo do të sjellë që në Asamblenë Kombëtare të ketë 36 anëtarë të rinj dhe rinovimin në këtë parti me njerëz të ardhur nga vota e anëtarësisë.
Me miratimin e drejtuesve socialistë të rretheve, do të vijohet edhe me zgjerimin e Asamblesë Socialiste të rretheve që është organi më i lartë vendimmarrës i partisë në rreth.
STATUTI I PARTISË SOCIALISTE
Neni 19
Kryetari i Partisë i Rrethit
1. Kandidaturat për kryetar të partisë propozohen nga AS të njësive vendore të rrethit dhe miratohen nga Kryesia e PSSH.
2. Kryetari i partisë i rrethit zgjidhet me votim të fshehtë nga mbledhja e zgjeruar e AS të rrethit. Në përbërje të mbledhjes së zgjeruar të AS të rrethit bëjnë pjesë përfaqësuesit sipas pikës 2, neni 18 dhe kryetarët e OS të rrethit. Mbledhja e zgjeruar e AS të rrethit si rregull mblidhet një herë në 4 vjet.
3. Kryetari i Partisë së rrethit është anëtar i AK të PSSH.
4. Kryetari i Partisë i rrethit drejton e koordinon veprimtarinë politike, organizative dhe elektorale të AS të rrethit dhe ndjek veprimtarinë e përditshme të AS të njësive vendore të rrethit.