E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesa e LSI-së, Bosch: E keni gabim

Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch i konsideron të pabaza shqetësimet e LSI-së

TIRANË- Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) i konsideron të pabaza shqetësimet e Lëvizjes Socialiste për Integrim për sa i përket formatimit të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Duke thyer çdo rregull dhe normë diplomatike, shefi i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, ka lënë zyrën e tij dhe ka guxuar t’ia komunikoj vet ballë për ballë qëndrimin e vet mospajtues turmës së protestuesve të LSI-së që ishin mbledhur dje përpara ambienteve të kësaj zyre. Ai ka bërë të qartë pjesëmarrësve në këtë tubim proteste, se organizata që ai drejton e konsideron reformën zgjedhore një të drejtë legjitime e klasës politike shqiptare, prandaj çdo vendim që merret prej saj në mënyrë demokratike është i pakontestueshëm nga kushdo, përfshi këtu edhe OSBE-në. Nisur pikërisht nga ky fakt, Bosch i ka bërë të ditur turmës se nuk ka të drejtë në kërkesat e veta. “Në demokraci ka një Parlament dhe kur Parlamenti merr një vendim në mënyrë demokratike, OSBE nuk mund të protestojë kundër asgjëje. Unë e di që zakonisht turmat kanë të drejtë, por në këtë rast jo”, - tha ambasadori i OSBE-së në Tiranë Robert Bosch. Ai ka siguruar mbështetësit e LSI-së se OSBE do të bëj të pamundurën për të ndihmuar institucionet e shtetit shqiptar që të bëjnë një aplikim korrekt të sistemit të ri zgjedhor si dhe të ligjit të ri elektoral. “Ne do të kemi zgjedhje të reja dhe zgjedhjet e reja presupozohen të jenë të lira dhe të ndershme. Pra, tashmë kemi një sistem të ri dhe do përpiqemi që të aplikojmë këtë sistem të ri në mënyrë sa më të lirë dhe të ndershme, që të jetë e mundur. Ne si OSBE do ushtrojmë presion tonë, që ky proces të jetë sa më gjithëpërfshirës”, - tha më tej në fjalën e vet Bosch. Pavarësisht pamundësisë për të ndërhyrë në procesin e reformës zgjedhore për sa kohë ajo është brenda çdo norme ligjore, Bosch ka shprehur qëndrimin e vet personal, se është në favor të një KQZ-je me 9 anëtarë, ashtu siç është dhe aktualisht. “Sigurisht në çdo zgjedhje të lira dhe të ndershme çdo votë duhet numëruar. Me aq sa di unë, ato që diskutohen në tavolinë janë për një sistem 6+1, por unë do të preferoja të ishte një sistem 8+1”, - shtoi Bosch. Reagimi i ambasadorit të OSBE-së erdhi si pasoj e shqetësimeve të shprehura nga LSI për rrezikun e vjedhjes së votës nëpërmjet kufizimit të numrit të anëtarëve të KQZ-së nga 9 në 7 përfaqësues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›