E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestuesit? Janë banda komuniste

Dosja e Kuvendit, si komentoheshin nga deputetët trazirat në janar 1997

Dosja e kuvendit rikthehet te seancat e fillimit të vitit 1997, i cili do të shënonte një rekord të zi për Shqipërinë. Me të janë të lidhura humbjet qindra milionë dollarëshe të kursimeve të shumë shtetasve, brenda apo në emigracion, stopimi i prodhimit vendas dhe shkatërrimi total i ekonomisë prodhuese, plaçkitjet dhe djegiet e institucioneve të shtetit. Shenjat e para të nisjen së revoltës popullore ishin dukur dhe shumëkush e kishte paralajmëruar se, nëse nuk ndërhyhej shumë shpejt, populli do të hidhej në revoltë. Por shumica e PD-së, që ishte e lidhur, në një mënyrë apo tjetër me paratë e firmave rentiere, nuk donte ta prekte këtë temë, duke e devijuar debatin dhe duke i etiketuar nxitësit e revoltave si të kuq apo komunistë. Kjo është përmbajtja e debateve të diskutimeve që publikohen sot dhe janë bërë gjatë seancës së 26 janarit 1997.

Halit Shamata- …Sikurse e dini, situata qytete dhe rrethe të Shqipërisë, ka pasur agravimin e saj, i cili është shkallëzuar hap pas hapi, si pasojë e falimentimit të disa fondacioneve që kanë mbështetur aktivitetin e tyre mbi skemat piramidale…Qytetarët e disa qyteteve, në datën 24 janar, fillimisht në Lushnje, janë grumbulluar në sheshine qytetit, duke kërkuar në mënyrë të drejtpërdrejtë paratë e humbura. Rreth orës 10.00 ka patur grumbullime fillestare nga qytetarët, pastaj nga fshatrat përreth, të cilët i janë drejtuar bashkisë së qytetit për problemin e tyre, natyrisht tepër serioz…Situata, natyrisht, ka patur agravimin e saj mbasdite, që sikurse dihet, është mbyllur me djegien e bashkisë së Lushnjes, që natyrisht ka krijuar një precedent të rrezikshëm, pasi kërkesat e qytetarëve dhe rruga e zgjidhjes, nuk kanë si të thuash, përputhje midis tyre, përbëjnë një paradoks dhe natyrisht ky precedent ka patur ndikimin e vet në datën 25 janar, e cila ka qenë një ditë e vështirë për policinë shqiptare…Rreth orës 13.00, me synimin dhe kurajon për të dialoguar me qytetarët e Lushnjes (kanë qenë momente kur situata ka patur një agravim, do të thoja, të pazakonshëm), zv. kryeministri, Tritan Shehu, ministri i Drejtësisë, Kristofor Peçi, kanë mbërritur në qytetin e Lushnjës dhe janë munduar të vendosin hapat e parë të dialogut. Natyrisht kanë dialoguar dhe kanë bërë ftesë për një dialog më të gjerë në ambientet e stadiumit të qytetit të Lushnjes. Ka qenë ftesa e tyre e rëndësishme që ka evituar, pa diskutim, dëmtimet e mëtejshme të institucioneve të këtij qyteti. Ka pasur përpjekje për të penguar zv. kryeministrin, duke vënë kushte mjaft të rënda dhe krejtësisht antiligjore, dhe gjakftohtësia e policisë, mbështetja e qytetarëve të Lushnjes, ka bërë që, z.Tritan, të lëvizë në orën 20.00 drejt qytetit të Tiranës.Vatra tjetër që ka marrë përpjestime në ditën e djeshme ka qenë qyteti i Beratit, ku ka filluar me një dozë fillestare, rreth 30-40 persona, kryesisht të mitur dhe adoleshentë, u janë drejtuar bashkisë, prefekturës, zyrave të gjendjes civile, natyrisht duke i djegur dhe plaçkitur ato. Pastaj ka patur sulme ndaj selisë së PD-së, turma i është drejtuar godinës së SHIK-ut, e pastaj komisariatit…kanë arritur të marrin armë, çifte, automatikë…Në Kavajë ka patur grumbullime të personave, kryesisht fëmijë, që janë përpjekur të protestojnë..gjithashtu përpjekje për t’u ballafaquar me institucionet, me bashkitë, me komisariatet, ka patur në qytetin e Gramshit dhe në qytetin e Skraparit…Gjatë këtyre konfrontimeve janë plagosur 84 punonjës të policisë, nga të cilët, 24 vetë janë rëndë, dy nga këta në gjendje kome…

Aleksandër Meksi - Dua t’ju informoj se kemi të bëjmë, jo me inat të të gjithë shqiptarëve, por kemi të bëjmë me banda komuniste, të njerëzve të paguar, nga armiq tradicionalë të kombit shqiptar, të cilët kanë porosinë të djegin gjithçka që është shtetërore, sepse është e të gjithë shqiptarëve, për të përulur Shqipërinë….Në qoftë se para gjysmë ore është djegur “Albpetroli” me arkivin e tij qindra milionë dollarësh, kjo do të thotë se nuk e kanë as me qeverinë, as me Leka Meksin, as me mustaqet e tij, por e kanë me Shqipërinë. Nuk djeg shqiptari shtëpinë e tij kur humb paratë. Dhe të jeni të sigurt që nuk kanë humbur tërësisht paratë, ka vetëm një pjesë e vogël me vullnetin e tij të lirë, i mashtruar nga njerëz të pafytyrë, kjo është e vërtetë...

Rexhep Karapici - Rebelizmi nuk ka asgjë të përbashkët me fajdet. Një turmë protestuesish prej disa mijëra vetësh, të cilët janë me të vërtetë të zhytur në fatkeqësinë e tyre nuk mund të identifikohet me 30 apo 40 vetë që djegin dhe shkatërrojnë gjithçka që del përpara, sepse të gjitha zyrat e shtetit që janë djegur dhe janë dëmtuar nuk janë zyra fajdesh, ku njerëzit të pikëlluar, të shprehin zemërimin e tyre. Zotërinj deputetë, unë mendoj se ky është një rebelizëm dhe bashkohem me mendimin e zotit Meksi që janë bandat komuniste që i kurdisin ato…

Uran Butka - …Shkatërrimet dhe djegiet në Berat, Lushnje e gjetkë, djegiet dhe shkatërrimet e dokumentave, sulmet ndaj organeve të policisë, që kanë vepruar qetësisht, janë vepra të atyre forcave që kërkojnë të godasin demokracinë, të destabilizojnë Shqipërinë, dhe natyrisht ta spostojnë konfliktin edhe në Shqipëri. Unë shoh këtu edhe veprimin e forcave antishqiptare ndërmjet bandave komuniste kriminale dhe njerëzve të mashtruar….

Hysen Selfo - …Qëndroj në deklaratën e paraqitur në seancën plenare të datës 23.1.1997 për gjendjen e krijuar, që ngarkon me përgjegjësi të veçantë qeverinë aktuale dhe PD-në. Që situata të mos dalë më tej jashtë kontrollit, në një anarshi të plotë, të fryrë dhe nga subjekte dhe qarqe të veçanta politike, kërkohet të jemi të kujdesshëm në veprime për situatën e jashtëzakonshme të krijuar në vend, për vetë faktin se problemet e tyre kanë karakter ekonomik, dhe detyra jonë është të parandalojmë të gjitha spekullimet politike, nga të cilat të tjerët duan të përfitojnë…

Sali Rexhepi - …Z. Meksi foli sot në parlament dhe u sqaruan shumë gjëra, por unë mendoj se burimet financiare, në çdo tërmet, janë gjetur dhe këto fillojnë nga thesari i shtetit, fondi rezervë i qeverisë, ndihmat financiare nga jashtë, shkurtimi i aparatit burokratik shtetëror e deri te shitja e vilave të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, që janë pronë shtetërore.

Maksim Cikuli - … Lushnja, me një traditë demokratike dhe me një kulturë të konsiderueshme, u bë epiqendër e këtyre skenave. Dhe kjo ka edhe arsyet e veta. Praktikisht është regjioni më i prekur nga ky fenomen i ulët që po shqyrtojmë ne sot. Në këtë qytet patën rrënjët e para këto fondacione, në këtë qytet u kultivua etja për fitime shumë të shpejta, në këtë qytet u mendua se do të kapej koha e humbur, duke fituar me këto mënyra…

Kozeta Menkulasi - Vij nga qyteti i Beratit, që ka kaluar një ditë shumë të rëndë. Është një nga qytetet që është rënduar më shumë nga një rebelim vandal që u krye në qytetin e Beratit. Këtë vandalizëm e bëri një grup i caktuar njerëzish. Por është për të ardhur keq, e do të dëshiroja që këtu të ishte Ministri i Brendshëm, që të gjitha institucionet e administratës shtetërore u dogjën, vetëm për paaftësinë e komisariatit të Beratit…

Besnik Gjongecaj - …Unë jam plotësisht dakord me z. Kryeministër, i cili kualifikoi shumë qartë se kush po e djeg sot Shqipërinë, dhe nuk jam dakord aspak me zotin Ministër të Brendshëm, i cili mendon se është vetëm një grup, ashtu në përgjithësi, esktremistësh brenda turmës së popullit që po e djeg sot Shqipërinë…

Natasha Shehu -…Unë do t’ju them edhe një fakt, që dje me të vërtetë më bëri përshtypje: Jam munduar dje, gjithë paraditen, të lidhem me Peshkopinë për të ditur si është situata atje, për të mësuar se çfarë nevojash kanë, por ishte e pamundur të lidhesha, sepse nuk punonte asnjë linjë telefonike me atë qytet. Dhe mendo si do të jenë në gjendje shefat e komisariateve të marrin vazhdimisht udhëzime dhe detyra.…

Roza Pati -…Synimi skandal për të shkatërruar totalisht Shqipërinë e për të rrëzuar rendin demokratik, duhet të marrë një përgjigje të prerë ligjore. Nuk është populli ai që shkatërron, por janë kriminelët komunistë që luajnë me fatkeqësinë e njerëzve, duke i rritur përmasat e humbjes materiale…

Sadri Bushati - Unë besoj se kjo seancë zhvillohet në një situatë tejet të jashtëzakonshme. Mirëpo, për çudinë time, e sigurisht edhe tuajën apo të deputetëve të tjerë kolegë, në pamje të parë, në sallë zhvillohet një seancë krejt normale. Më bën përshtypje fakti që këtu, tashmë, nuk ndodhet as kryeministri, as Ministri i Brendshëm, as Kryetari i Kuvendit dhe mendoj se është momenti që të ndërpritet séanca…

Burim Hysi - …Unë do të thoja këtu, që ta dëgjojë edhe një herë Ministri i Brendshëm, që edhe rrethi i Delvinës është njëlloj si të gjitha rrethet e tjera dhe kërkon atë vështrim që bëhet mbi çdo komisariat dhe duhet të pajiset me ato mjete që i kërkon koha sot, ndryshe ai është jashtë loje për çdo situatë të krijuar.(Vijon)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›