Humba titullin, por me kokën lart!
"Kjo ishte gara më e pabesueshme e jetës sime!" Ishin këto fjalët e Felipe Masës, sytë e të cilit janë të mbushur me lot, ndërsa përpiqet ta mbledhë veten nga emocionet. Për disa qindra metra pas mbërritjes, Felipe shpresoi se ia doli ta fitonte titullin e kampionit të botës, ndërkohë që turma e tifozëve, skuadra dhe familjarët e tij në "box" ishin duke festuar.
Pastaj erdhi dushi i ftohtë. "Sapo kalova vijën e mbërritjes, inxhinieri im i pistës, Rob Smedli, më ftoi të isha i qetë, sepse Hamiltoni ishte duke tentuar të kalonte Glokun. Kishin mbetur vetëm tri kthesa, por për mua dukeshin si përjetësia vetë. Po prisja konfirmimin e fitimit të kampionatit, por në vend të tij më erdhi lajmi i kundërt," - tha Masa. I pyetur se ç'do t'i thoshte Glokut, nëse e takonte, Masa u përgjigj: "Asgjë, nuk besoj se e bëri me qëllim. Ai ishte në pistë me gomat e thata dhe përshtatja e tij me pistën ishte jo e mirë," - tha Masa. Piloti i Ferrarit njihet si njeri që derdh pak lot, por në podium nuk e mbajti dot veten.
"Pas një gare kaq të fortë, është e vështirë të mbahen lotët dhe emocionet. Ndoshta po plakem, po mallëngjehem shpejt, - shtoi ai.
- Shiu më dha një ndihmë, por nuk ishte e mjaftueshme. Skuadra dhe unë bëmë një garë të përsosur, por kjo nuk na mjaftoi për të marrë titullin. Kam bërë një kampionat të mrekullueshëm, me ulje ngritjet e veta. Edhe në këtë garë u treguam të mëdhenj. Ka sezone, në të cilat gjithçka shkon vaj, ku fitoret vijnë njëra pas tjetrës. Këtë vit shkoi pak ndryshe. Humba për një pikë. Duhet të pranohet gjithmonë rezultati i garës. Megjithatë, duhet të jemi të kënaqur që fituam titullin për konstruktorë makinash, i cili është një titull i merituar për një skuadër që ka bërë punë fantastike, më ka mbështetur gjithmonë dhe më ka bërë të rritem profesionalisht," - tha nënkampioni i botës, Masa. I pyetur nëse e informonin në mënyrë të vazhdueshme për pozicionin e Ljuisit, ai u përgjigj: "Më informonin metër pas metri. Më thoshin se ndodhej në vendin e katërt, pastaj në të pestin e kështu me radhë. Me këtë rast, përfitoj t'i shpreh përgëzimet e mia Ljuisit. Ka bërë një kampionat të jashtëzakonshëm dhe e meriton titullin. Unë di të fitoj, por edhe të humbas. Por, sidoqoftë, e lë pistën e Interlagosit me kokën lart: jam krenar për garën që bëra, për Ferrarin, për skuadrën, për familjarët e mi dhe për tifozët në Interlagos. Më kanë mbështetur me një ngrohtësi të jashtëzakonshme, më shumë sesa e imagjinoja. Zoti është Ai që vendos: nëse shkoi kështu, është sepse kështu duhet të shkonte," - tha Felipe. I vetmi ngushëllim mbetet fakti se Masa është piloti që ka fituar më shumë gara këtë vit. Kjo është edhe dëshmia se Ferrari ka një skuadër shumë të fortë, por, në fund të fundit, janë pikët ato që kanë vlerë dhe të nxjerrim kampion. Por Masës i mungoi vetëm një pikë në fund. I pyetur se cila është ajo garë, në të cilën ai mendon se e humbi titullin, Masa përgjigjet: "Të gjitha garat ku kam lënë pikë. Por do të përpiqemi të fitojmë vitin tjetër," - shton ai.
Emocione të njëjta kanë ndier edhe familjarët e Masës. Kur babai i tij, Luis Antonio, pa në ekran parakalimin e Hamiltonit ndaj Glokut, nuk e mbajti dot një mallkim. Por kur Felipe u kthye në "box", pas marrjes së çmimit, zemërimi ishte fashitur. "Timo i kishte gomat e thata dhe besoj se nuk e bëri me qëllim. Por Felipe ishte i përsosur, tregoi se është një kampion i vërtetë," - tha babai i Felipe Masës pas garës.