E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shumica e hebrenjve do të votojnë Obamën

Ndërsa kanë nisur votimi për zgjedhjet presidenciale, të cilat mbahen sot në Amerikë, një anketë kombëtare e kohëve të fundit tregon se grupe të mëdha votuesish amerikanë hebrenj, mbështesin kandidatin demokrat, Barak Obama.

“57% e votuesve hebraikë mbështesin senatorin Obama dhe 30 % mbështesin zotin Mekein. 13 për qind janë të pavendosur, një numër më i madh nga ç’parashikohej në këtë fazë të fushatës”.

Kenneth Bandler është drejtor i komunikacioneve në Komitetin Amerikano-Hebraik.

“Mbështetja prej 57% për Senatorin Obama është disi më e ulët nga ç’mund të pritej nga elektorati hebraik në këtë fazë të fushatës. Në vitin 2004, senatori Kerry, kishte siguruar mbështetjen e 67 % të elektoratit hebraik dhe pastaj arriti deri në 76 %”.

Zoti Bandler thotë se senatori Obama mund të siguronte edhe më shumë vota nga votuesit e pavendosur, por ai vë në dukje se, edhe senatori Mekein, bëri përpjekje për të siguruar mbështetjen e tyre. Ai beson se vota e hebrenjve të Amerikës do të jetë vendimtare për rezultatin, në të ashtuquajtura shtete të pavendosura si Ohajo, Pensilvania dhe veçanërisht Florida, ku mbështetja për të dy kandidatët është shumë e fortë.

“Votuesit hebrenj përbëjnë 5 % të numrit të përgjithshëm të votuesve në Florida. Kjo është një nga arsyet që të dy kandidatët, Mekein dhe Obama, kanë bërë aq shumë fushatë në Florida duke dashur të bëjnë për vete votuesit hebraikë, por edhe kubano-amerikanët që, ashtu si grupimet e tjera etnike, kanë një rëndësi të madhe”.

Në anketë ishin bërë pyetje edhe për mbështetjen e hebrenjve të Amerikës për dy kandidatët për nënpresident.

“Ne arritëm në përfundimin se 73 % e votuesve e miratojnë përzgjedhjen e senatorit Bajden nga ana e Senatorit Obama. Nga ana tjetër, mes hebrenjve që e identifikojnë veten si republikanë, vetëm 37 % ishin dakord me përzgjedhjen e guvernatores së Alaskës, Sara Pejlin, nga ana e senatorit Mekein”.

Zoti Bandler thotë se sondazhi i ri hedh dritë edhe mbi çështjet që ndikojnë tek mënyra sesi votojnë amerikanët hebrenj. Për shembull, është krijuar përshtypja që, zakonisht, hebrenjtë e Amerikës votojnë në përgjithësi për kandidatin që tregon më shumë përkushtim ndaj sigurisë së Izraelit. Në fakt, 29 % e të anketuarve thonë se ndjehen afër dhe 38 % mjaft afër shtetit të Izraelit.

Por vetëm 3 % e cilësuan sigurinë e Izraelit si çështjen kryesore në këto zgjedhje. Çështjet kryesore që shqetësojnë ata janë ekonomia, kujdesi shëndetësor të pasuara nga lufta në Irak dhe pavarësia e energjisë.

Një shumicë e konsiderueshme votuesish hebrenj shprehën, gjithashtu, më shumë besim tek demokratët sesa tek republikanët për të marrë vendimet e duhura për këto çështje.

62 % e tyre thonë se demokratët do të gjejnë një zgjidhje për krizën financiare, krahasuar me 28 % që mbështesin republikanët në këtë drejtim.Sondazhi një ditë para zgjedhjeve: Obama kryeson me 49,9 %, përballë 43,6% të Mekeinit

Vetëm një ditë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, kandidati demokrat për president, Barak Obama, e ka thelluar përparësinë në anketime. Në bazë të një anketimi të përbashkët të gazetës "Uashington Post" dhe të stacionit televiziv “ABC”, 53% e amerikanëve duan t'ia japin të martën votën për president, senatorit me ngjyrë. Vetëm 44 % thanë se duan të mbështesin kandidatin republikan, Xhon Mekkein. Më parë, pro Obamas ishin shprehur 52% e votuesve. Faqja e internetit, “RealClearPolitics”, llogariti një mesatare të përfundimeve të instituteve më të rëndësishme të anketimit: në bazë të saj, Obama kryeson me 49,9 % përballë 43,6% të Mekeinit. Por rezultatet e 11 anketimeve janë të ndryshme: disa e shohin Obaman me vetëm tre ose katër pikë përparësi përballë Mekeinit, kurse të tjera thonë se ai kryeson me 9 deri 11 % të votave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›