E Diel, 1 Nëntor 2026

Drafti, ja përbërja e re e KQZ-së

Kryetari i KQZ-së do i përkasë partisë më të madhe të mazhorancës qeverisëse, por do të përzgjidhet nga opozita

TIRANË- Është pothuajse zyrtare. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Komisionet e Qendrave të Votimit dhe Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor do të kenë nga shtatë anëtarë, ku natyrisht do të ruhet balancimi i detyruar politikë. Grupi i ekspertëve ka përfunduar dhe ka dorëzuar dje në Komisionin e Posaçëm parlamentar të Reformës Zgjedhore, draftet për tre kapituj të rinj të Kodit të ri Zgjedhor, ku natyrisht bëhen një sërë përcaktimesh për çështje shumë të rëndësishme siç janë ngritja e sistemit administrimit të zgjedhjeve dhe regjistrimit dhe ndarjes së mandateve për subjektet elektorale. Kështu KQZ përveçse ndryshon statusin e saj ligjor, pasi nuk do të jetë më institucion kushtetues, do të ketë dhe një sërë ndryshimesh si në mënyrën e formatimit ashtu edhe në kohëzgjatjen e mandatit të saj. KQZ do të ketë 7 anëtarë të cilët do të zgjidhen me një mandat kohorë prej 4 vjetësh. Dy anëtare nga partia më e madhe e mazhorancës dhe dy anëtarë nga partia më e madhe e opozitës. Subjektet propozuese në fazën e përzgjedhjes paraqesin jo më pak se dy kandidatura për secilën vakante. Kryetarët e grupeve parlamentare të subjekteve propozuese përzgjedhin kolegjialisht 4 kandidatura, ku dy prej të cilave duhet të jenë femra. Anëtari i pestë i KQZ-së zgjidhet nga kandidaturat e propozuara nga grupime deputetësh të partive të mazhorancës qeverisëse, përjashtuar partinë më të madhe të këtij spektri. Anëtari i gjashtë zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të opozitës, përjashtuar partinë më të madhe të opozitës. Grupimi propozues paraqet një listë me jo më pak se dy kandidatura për vakancat përkatëse. Kuvendit i paraqitet për votim lista e kandidatëve që ka siguruar numrin më të madh të nënshkrimeve mbështetëse të deputetëve të grupeve respektove parlamentare të mazhorancës dhe opozitës. Votimi për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së zgjidhet brenda një dite nga Kuvendi. Anëtari i shtatë i KQZ-së dhe njëkohësisht kryetari i saj propozohet nga grupimi parlamentar i partisë më të madhe të mazhorancës, i cili paraqet një listë me jo më pak se katër kandidatura. Grupi parlamentar i partisë më të madhe të opozitës përzgjedh dy prej kandidaturave të paraqitura të cilat i kalojnë për votim Kuvendit. Kryetari i KQZ zgjidhet me shumë të thjeshtë votash. Ndërkohë që si një mënyrë balancimi politikë opozitës i lihet të zgjedhë nënkryetarin e KQZ-së, i cili zgjidhet nga anëtarët e tjerë të këtij institucioni. Ruajtja e balancës politike synohet të behet në vendimmarrje ku asnjë vendim i KQZ-së nuk do të ketë vlerë ligjore nëse ajo nuk nënshkruhet nga nënkryetari që i përket opozitës. Ndërkohë që përcaktohet edhe mekanizmi i votës së cilësuar ku për një akt normativ do të quhet i vlefshëm në rast se merr 5 vota pro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›