Konkurs për drejtor në QKU

Hyrja e tij në Kuvendin e Kosovës e la Qendrën Klinike Universitare të Kosovës(QKUK) pa drejtor ekzekutiv. Ish-drejtori ekzekutiv të QKUK-së, Ali Sadriu, pasi u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës, i ka hapur rrugë shpalljes së konkursit për pozitën që ai mbante deri në certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 12 dhjetorit. Megjithatë, edhe pas një muaji, konkursi për pozitën e drejtorit ekzekutiv nuk është shpallur akoma dhe QKUK vazhdon të punojë edhe pa një drejtor të tillë.
Por, ky post nuk do të vazhdojë të jetë i zbrazët edhe shumë kohë. Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka thënë se konkursi për drejtor ekzekutiv të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës pritet të shpallet shumë shpejt. Megjithatë, ai nuk ka dhënë ndonjë datë të saktë se kur mund të shpallet konkursi për këtë pozitë.
“Sa më shpejt do të kërkoj menjëherë, nuk ka arsye që kjo të zhagitet, sepse zgjidhja e ushtruesit të detyrës është zgjidhje e përkohshme, derisa të tejkalohet një situatë konkrete”, ka thënë ministri Agani.
Ai thotë se institucionet shëndetësore nuk duhet të udhëhiqen nga ushtrues detyre, por nga udhëheqës të këtyre institucioneve, që, sipas tij, e gjithë kjo duhet të kryhet në procedurë të rregullt të konkursit dhe të emërimit të udhëheqësve të institucioneve shëndetësore, përfshirë QKUK-në. “Prandaj unë do të kërkoj që menjëherë ky konkurs të hapet dhe të realizohet në pajtim me ligjin”, u shpreh Agani.
“Duhet menduar për hapjen e konkursit sepse nuk ka më rrethana të veçanta. Mendoj të gjitha proceset rreth konstituimit të institucioneve të vendit kanë përfunduar”, pohon ai.
Por, nuk është ky i vetmi problem i zvarritjes së konkursit për drejtor ekzekutiv. Problem tjetër në QKUK është edhe shpallja dhe mbyllja e herëpashershme për drejtorë të klinikave.
Lidhur me këtë konkurs, ministri Agani tha se pas emërimit të drejtorit të ri, do të kërkojë që menjëherë të zbatojë procedurën gjithkund aty ku ka ushtrues të detyrës të shkohet menjëherë në zgjedhjen për emërimin e pozitës së drejtorëve të klinikave.
“Do të kërkoj nga drejtori i ri i QKUK-së që menjëherë të zbatojë procedurën në një me drejtorët e klinikave të veçanta gjithkund aty ku ka ushtrues të detyrës të shkohet menjëherë në zgjedhjen për emërimin e pozitës së drejtorëve të klinikave”, tha i bindur Agani.
Përveç zgjedhjes së drejtorëve, Agani premton edhe riorganizimin në sistemin e sektorit të shëndetësisë. “Nga janari i vitit tjetër do të kemi një riorganizim të plotë të sistemit publik të shëndetësisë dhe me këtë edhe do të kemi procedura të reja të emërimit të përgjegjësve në të gjitha nivelet”, u shpreh ministri Agani, sipas të cilit të gjitha këto parregullsi, do të jenë procedura, të cilat do t’i shërbejnë periudhës kalimtare, duke shtuar se tash e tutje do të krijojnë sistem të ri të shërbimit shëndetësor.
Ndryshe, Konkursi i fundit për drejtor ekzekutiv të QKUK-së, ishte shpallur në muajin tetor të vitit 2009, në të cilin asokohe kishin konkurruar 14 kandidatë, ku për drejtor ekzekutiv të QKUK-së ishte zgjedhur Ali Sadriu. Mirëpo për shkak të hyrjes si deputet në Kuvendin e Kosovës të ish-drejtorit ekzekutiv të QKUK-së, në zgjedhjet e 12 dhjetorit, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, ka nënshkruar vendimin për pezullimin nga puna të Ali Sadriut. Ndërsa QKUK-ja vazhdon të udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës Lulzim Emini.