E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me rezerva shtetërore

Çrregullimet e tregut dhe pamundësia për plotësimin e nevojave për bukë dhe produkte tjera strategjike, e kanë shtyrë qeverinë që të krijojë rezervat e para shtetërore. MTI krijoi fondin për rezerva dhe shpejt pritet që të realizohen në tërësi strategjia e qeverisë. Ekonomistët rekomandojnë se rezervat të koncentrohen kryesisht në ato të grurit. Nga Albulena Maloku më 20 mars 2011 në ora 08:08

Për të parandaluar çrregullimet në tregun kosovar, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të fillojë grumbullimin e rezervave shtetërore të mallrave. Krijimi i rezervave për produktet strategjike ka dalë si nevojë e pamundësisë së Kosovës për të përmbushur kërkesat për bukë nga prodhimi i vet si dhe bllokada që po i bëhet nga shtete të ndryshme.

Në bazë të Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, MTI’ja është e obliguar që të grumbullojë rezerva të mallrave për të ndihmuar ekonominë vendore në rast të çrregullimit të tregut.

Udhëheqësit e Ministrisë së Tregtisë thonë se këto rezerva brenda një kohe mund të sjellin efektet pozitive në vend. Drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës krijimin e rezervave për produktet strategjike e shohin si nevojë emergjente për vendin.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, tha për Express se ministria që drejton konform ligjit për rezerva është e obliguar që të grumbullojë rezerva të mallrave. Ajo tregon se deri më tani kjo nuk ka qenë e mundur, pasi që vetëm në gjysmën e vitit të kaluar ky ligj është miratuar në Kuvendin e Kosovës.”Tani ligji është në fuqi dhe konform këtij ligji ne do të fillojmë grumbullimin e rezervave shtetërore të mallrave”, ka thënë ministrja Kusari-Lila. Ajo pret se nga këto rezerva do të efekt pozitiv në rregullimin e tregut në vend.

“Efektet e rezervave ne presim t’i kemi pas një kohe të shkurtër dhe nuk besoj se do të ballafaqohemi me mungesa të mallrave”, tha Kusari-Lila. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tregon se deri më tani çdoherë i kanë rekomanduar Qeverisë se vendi ka nevojë emergjente për krijimin e rezervave për produktet strategjike. Tani, sipas tij, vendi ka më së shumti nevojë që të krijojë rezervat shtetërore, sidomos ato të grurit. “Qëndrueshmëria dhe stabiliteti i tregut vendor varet nga ajo se çfarë janë rezervat shtetërore. Rezervat shtetërore janë gruri, nafta dhe derivatet e saj, medikamentet e ndryshme medicinale dhe rezervat në aspektin financiar”, thotë Gërxhaliu.

Të gjitha këto, ai thotë se duhet të krijohen në mënyrë emergjente, pasi që tani ekziston edhe baza ligjore. Ndër tjerash, ai thekson se vendi ka nevojë që të zbatojë modelin zviceran për krijimin rezervave.

“Duhet të futemi në partneritet publiko privat, që kjo nënkupton stimulimin e fermerëve për prodhim dhe teprica e prodhimit të përdoret rezervë shtetërore, ndërsa mungesa e tyre të importohet në bazë të kuotave”, ka thënë Gërxhaliu. Në anën tjetër, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, Lekë Musa, mendon se nga rezervat shtetërore nuk pritet të ketë përmirësim të situatës së krijuar. Sipas tij, Qeveria duhet të favorizojë shumë segmente të ekonomisë, në mënyrë që në vend të ketë stabilitet të tregut.

“Nëpërmjet rezervave nuk mund të kontrollohen çmimet dhe nuk është kjo zgjidhje afatgjate”, ka thënë drejtori Musa. Rezervat shtetërore të mallrave krijohen nga buxheti i Republikës së Kosovës, mallrat që vijnë si ndihmë humanitare, donacionet në mallra dhe ndihma financiare dhe mallrat e konfiskuara që kalojnë në pronësi të shtetit nga veprat kundërvajtjes, administrative dhe kryerja e veprave penale e që janë të destinuara për rezervat shtetërore të mallrave.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›