Në dorë të Isës
Edhe tri ditë i kanë mbetur partisë së Ramush Haradinajt për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese lëndën me pretendimin se Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, shkeli Kushtetutën kur votoi për Qeverinë, pak minuta pasi kishte dhënë betimin si Shef i Shtetit.
Kjo nismë e AAK’së ende nuk e ka gjetur përkrahjen e partive opozitare, të cilat po presin nga Gjykata Kushtetuese shqyrtimin e lëndës së parë, me të cilën është kontestuar mënyra e zgjedhjes së Behgjet Pacollit në krye të shtetit.
Kërkesën e parë drejtuar Gjykatës Kushtetuese e ka bërë partia e Isa Mustafës me mbështetje të deputetëve të AAK’së, ndërsa kërkesa tjetër që po përgatitet të dorëzohet është iniciuar nga AAK’ja. Por, kjo parti tani duket se nuk po gjen përkrahje në LDK.
Iniciuesit e nismës për ta dërguar lëndën e dytë të Pacollit në gjykatën më të lartë në Kosovë ende nuk i kanë siguruar 30 nënshkrimet e nevojshme.
“Është në përpunim lënda e Pacollit”, ka thënë Nënkryetari i AAK’së, Ahmet Isufi, të shtunën për Express.
Ai nuk ka treguar se në cilat parti do t’i sigurojnë nënshkrimet.
“Më 22 dorëzohet lënda e Pacollit në Gjykatën Kushtetuese. Nënshkrimet do t’i sigurojmë duke ua dhënë deputetëve me nënshkrua lëndën e Pacollit”, ka thënë Isufi.
Në nenin 45 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese specifikohen afatet kohore për të proceduar një shkelje të pretenduar nga ana e Presidentit.
“Kërkesa duhet të parashtrohet brenda afatit prej tridhjetë (30) ditëve që nga dita kur shkelja e pretenduar kushtetuese nga ana e Presidentit është bërë publike”, thuhet në ligj.
Më 22 mars bëhen një muaj nga zgjedhja e Pacollit.
Megjithëkëtë, Isufi thotë se ende nuk janë koordinuar me partitë e tjera, por presin edhe përkrahjen e tyre.
“Ende nuk e kemi koordinuar me partitë tjera”, ka thënë Ahmet Isufi.
Por, në LDK duket se e kanë ndarë mendjen. Ata, sipas të gjitha gjasave, nuk do ta përkrahin nismën e AAK’së.
Eqrem Kryeziu, anëtar i Kryesisë, thotë se njëherë do ta presin vendimin për lëndën e parë, që ka të bëjë me procedurat e zgjedhjes së Pacollit në krye të shtetit.
“Ne nuk e dimë ende a është ai njeri (Behgjet Pacolli) President a nuk është. Në qoftë se Gjykata na sqaron këtë punë, atëherë ne sillemi me lëndë të tjera. Hë për hë, ai është i kontestuar si President. Sipas vendimit që do të merr gjykata, ne do të veprojmë”, ka thënë ai.
Ky anëtar i Kryesisë së LDK’së e ndan në dy episode “Rastin Pacolli”.
“Njëherë për një herë lënda është e deponuar në gjyq prej neve dhe Aleancës dhe ky është episodi i parë. Besoj se LDK këtu është përqendruar në këtë episod, por në qoftë se ka nevojë për episode tjera, vazhdojmë”, ka thënë Kryeziu.
Eqrem Kryeziu jep versionin e tij pse nuk e ka “shkelur” Pacolli Kushtetutën, kur ka votuar për Qeverinë.
“Presidenti nuk e ka shkelë Kushtetutën sepse nuk është President”, ka thënë Kryeziu
“Në qoftë se Gjykata e shpall President, atëherë ky President ke hutue krejt. Me të vërtetë u hutue keq edhe ka votu”, ka thënë ai.
Deputeti i Vetëvendosjes, Florin Krasniqi ka thënë se Grupi Parlamentar i këtij subjekti ende nuk ka qëndrim rreth nismës së AAK’së.
Por, ai ka treguar qëndrimin e tij për Behgjet Pacollin.
“Unë jam personalisht që sa më shpejt ta heqim Behgjetin. Ky është opinioni im, por ne si Grup Parlamentar vendosim dhe dalim me një vendim unanim”, ka thënë Krasniqi për Express.
Por, zëdhënësi i Vetëvendosjes, Erzen Vraniqi ka thënë se vendimin për ta përkrahur ose jo lëndën e dytë të Pacollit do ta marrin pasi ta shohin përmbajtjen e kërkesës së AAK’së.
“Nëse AAK kërkon përkrahje prej nesh, ne do të shohin përmbajtjen e lëndës e pastaj të do të marrim vendim. Ne do të shohim se a është përmbajtja në përputhje me programin e Vetëvendosjes dhe do të dalim me një qëndrim”, ka thënë zëdhënësi Vraniqi.
Partia e Ramush Haradinajt ka vetëm 11 deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe për të kompletuar lëndën me pretendimet se është shkelur Kushtetuta nga Presidenti i duhen edhe 19 nënshkrime të LDK’së dhe Vetëvendosjes, e cila ka 14 deputetë.
Presidenti Behgjet Pacolli ka dhënë versionin e tij se pse ka votuar për Qeverinë e Kosovës. Ka thënë se e ka bërë pavetëdije si dhe ka hedhur fajin te protokolli i Kuvendit të Kosovës.
Zgjedhja e Behgjet Pacollit vazhdon të kontestohet nga partitë opozitare dhe një pjesë e shoqërisë civile. Përderisa për mënyrën e zgjedhjes së tij kishte shfaqur haptazi kundërshtime edhe Kryeparlamentari Jakup Krasniqi.