Kërkesa për heqjen e imunitetit, pritet mbledhja e këshillit të mandateve
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli pritet të thërrasë sot mbledhjen e këshillit të mandateve për të diskutuar për heqjen e imunitetit të tre deputetëve socialistë Taulant Balla, Besnik Baraj dhe Tom Doshi.
Këshilli i mandateve të Kuvendit në mbledhjen e sotme pritet të marrë në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të tre deputetëve socialistë.
Një ditë më parë Prokuroria e Përgjithshme dorëzoi në kryesinë e Kuvendit kërkesën për heqjen e imunitetit të tre deputetëve socialistë për të bërë të mundur sqarimin plotësisht të pozicioneve të tyre në lidhje me ngjarjet e 21 janarit.
“Për të sqaruar plotësisht pozicionin e deputetëve Besnik Baraj, Tom Doshi dhe Taulant Balla në raport me ngjarjet e datës 21.01.2011, për veprën penale të “organizimit dhe pjesmarjes në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, lind e domosdoshme kryerja e disa veprimeve hetimore ndaj tyre. Prokuroria e Përgjithshme, i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë dhënien e autorizimit për procedim të 3 deputetëve socialistë" theksoi dje kryeprokurorja Ina Rama.