E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndarja ime me Dhimitër Xhuvanin

Gjithkush në mjediset letrare të Shqipërisë e dinë - në ka qenë publik fakti - se Dhimitër Xhuvani ishte prezantuesi im si shkrimtar. Tregimin tim të parë “Ora e florinjtë”, botuar më 11 maj 1975, në gazetën “Drita” e prezantoi Dhimitër Xhuvani. Ai më tregoi se si ishte njohur me mua, se si unë i isha drejtuar atij një natë, kur sapo kisha mbaruar vitin e dytë të gjimnazit dhe i kërkova të më lexonte tregimet me shkrim dore, në një fletore. Ne banonim bashkë në një fqinjësi shumë të mirë me Dhimitrin, kur ai vinte në Elbasan. Duke përfituar nga kjo njohje, unë kisha ditë e net të tëra që matesha ta takoja dhe më në fund dikur guxova. Ai ishte një shkrimtar me shumë emër dhe kish bërë një bujë të fuqishme ndëshkimi i tij për shkak të një romani (Tuneli), paçka se më pas e pat rifituar të drejtën për të botuar dhe pat marrë edhe një çmim të shquar kombëtar. Nga zori dhe vështirësia për ta takuar, kur më në fund ai po fliste me mua, u trondita nga mënyra aq e edukuar e paqësore se si ai po më fliste. Madje, kur më pa edhe aq të vogël, të dobët e të humbur, nën një xhaketë me kuadrate, ai u bë më shumë prindëror. Të them të drejtën, tek Taqoja i kam ndjerë të dyja - gjithë jetën - edhe mikun, edhe prindin. Unë kam me qindra episode, gati në të gjithë Shqipërinë, me praninë e Taqos, bile njihesha në të gjitha raportet zyrtare a shoqërore, si një talent i zbuluar prej tij. Por ai mbeti gjithnjë një mësues për tërë krijimtarinë e atyre dekadave. Taqoja ishte një shkrimtar me talent të rrallë, ishte një prozator që rrinte kapërcyell mes traditës kuteliane e lasgushiane dhe modernitetit evropian të prozës. Ai dha i pari, me “Tunelin”, shenjat e nevojës për një shpërthim të hekurave të realizmit socialist dhe ai u persekutua egërsisht, pikërisht për këtë shkak. Por Taqoja, edhe më pas, veçanërisht në romanin “Fan Smajli” është një prozator të cilit i është borxh kritika letrare shqiptare dhe vëzhgimi estetik i saj. Taqoja ishte një njeri me talent si minierë, ku sa më thellë të shkosh, aq më shumë vlera ka. Ai e mbizotëroi skenën letrare - shpesh atë dramaturgjike apo filmike - me idetë e krijimtarinë e tij. Dhe ai do të jetë gjithnjë një shkrimtar prej të cilit mund të mësohet. Ai ishte realisht një prej atyre talenteve të mëdha që s’mund të bënte punë tjetër përveçse shkrimit. Dhe ai u gjend në hapësirat e lirisë me një përshtatshmëri të mrekullueshme intelektuale e krijuese. Ai nuk reshti së jetuari si shkrimtar. Identiteti i thellë i tij është letërsia. Për ne që e kemi njohur, gjithkush - shumë apo pak - e di dhe e kupton më së miri se me Taqon njihje një nga njerëzit e mëdhenj të kohës. Por, në raportin si njeri, si mik, ai është i pashoq, sepse fisnikëria e tij ishte burimore. Ai ishte një njeri që donte të ndihmonte të gjithë botën, ishte i ëmbël në fjalë dhe nuk mund të ekzistojë një njeri në botë që t’i jetë drejtuar e të mos e ketë ndihmuar Dhimitri. Për nga mirësia, do të besoja se ai nuk vdiq rastësisht sot, ditën e lumturimit të Nënë Terezës. Ai kishte shenjtërinë e Shën Marenës së Pogradecit, në malet e Mokrës, dhe sillej në tërë përqasjen e tij njerëzore, me një butësi shëronjëse.
Vitet e jetës atëhere kanë qenë shumë të vështira, me trauma që fillonin nga ato personale, shoqërore e deri tek përplasjet me shtetin e politikën. Por Taqoja ishte një krah shpëtimtar, dhe për vetë moshatarët e tij, edhe për ne që ishim brez pas tyre.
Ndarja me Taqon nuk është e lehtë, jo vetëm se dihet se ai s’do të kthehet më, por se është vështirë të shpresosh se në vitet që vijnë, do të gjesh një njeri si Ai. Është shumë vështirë; një njeri aq i mirë, aq i madh në mirësinë e vet, të duket sikur vjen me mision në këtë botë. Dhe ai pati misionin e shërimit të dhimbjeve të të tjerëve. Dhe si i tillë do të mbetet i paharruar, do të mbetet si një shenjë e dorës së Zotit, për të treguar se nga është e mira.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›