E Diel, 1 Nëntor 2026

Cooper: Asnjë marrëveshje nuk ndikon në statusin e Kosovës

BEOGRAD- Ndërmjetës i BE-së në bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë Robert Cooper, në një intervistë për gazetën Blic ka deklaruar se gjatë marrëveshjeve priten probleme të vogla, por nëse janë shqetësuese ato do t’i rikthehen edhe një herë tryezës së negociatave.

“Pres që gjatë zbatimit të marrëveshjeve të paraqiten probleme të vogla, sepse nuk mund të parashikohet çdo gjë, dhe nëse do të ketë probleme, grupi negociator çështjet e kontestuara domosdo do t’i kthejë në tryezën kryesore të negociatave”,- është shprehur Cooper.

Ndërkohë, duke theksuar se të dy palët kanë interes në arritjen e kredibilitetit të tyre në Europë dhe në rajon zyrtari i BE-së tha se marrëveshjet nuk do ndikojnë në statusin e Kosovës.

“Të dy vendet kanë interes të arrijnë kredibilitet në Evropë, në rajon dhe në marrëdhëniet ndërmjet tyre. As marrëveshjet e tanishme dhe as ato që do të bëhen me ë vonë nuk do të kenë ndikim në statusin Kosovës”.

Robert Cooper, pas qëndrimit të djeshëm në Prishtinë sot ka vizuar Beogradin për të përgatitur raundin tjetër të bisedimeve që do të mbahet më 20 korrik në Bruksel.

Mësohet se gjatë këtij raundi synohet të arrihet marrëveshje për librat kadastralë, energjinë elektrike, telekomunikacion, e, siç transmetojnë mediet serbe, ndoshta edhe për vulën doganore të Kosovës.
(e.m/koha/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›