E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesa për statusin, aplikimi i Shqipërisë përçan BE-në

Këshilli i Ministrave të Jashtëm Europian nuk arriti një qëndrim të përbashkët për kandidaturën e Shqipërisë. Iniciativa e ministrit italian, Franko Fratini, për ta konsideruar si një çështje teknike në këtë fazë aplikimin, nuk gjeti mirëkuptimin e të gjitha vendeve anëtare të BE-së. Pengesa kryesore zyrtarisht mbetet Bundestagu gjerman, çfarë shtyn sërish pranimin e aplikimit të Shqipërisë nga BE. Ndryshe nga Presidenca suedeze, Holanda vendi që mbështeste qëndrimin e Gjermanisë për të shtyrë diskutimin e kandidaturës së Shqipërisë, vlerëson se anëtarësimi i vendit në Bashkimin Europian është çështje politike. "Aplikimi duhet të pranohet nga Këshilli dhe më pas i nënshtrohet procedurës teknike nga Komisioni. Vonesa për shqyrtimin vjen nga fakti se kemi një qeveri të re dhe parlamentarët gjermanë nuk janë ulur ende në karriget e tyre. Ndërkohë nisur nga çështja e Traktatit të Lisbonës, tashmë kemi një procedurë të re pune në disa vende për të konsultuar më shumë Parlamentin, siç është rasti dhe në vendin tim, ne nuk patëm zgjedhje, por Gjermania sapo i kaloi ato. Pra nuk është çështje politike por tërësisht teknike", u shpreh ministri i Jashtëm suedez, Karl Bildt. Por Holanda, vendi që mbështeste qëndrimin e Gjermanisë për të shtyrë diskutimin e kandidaturës së Shqipërisë, vlerëson se anëtarësimi i vendit në Bashkimin Europian është çështje politike. "Ne morëm raportin e ODIHR-it për zgjedhjet dhe megjithëse pati parregullsi, shumica e kritereve u përmbushën, për këtë arsye do të biem dakord që të kërkojmë opinionin e Komisionit mbi kërkesën e Shqipërisë. Por, s‘mund të them se kjo çështje nuk është politike, në pozicionin tim si ministër e politikan është të mohosh veten", thotë kryediplomati holandez, Maxime Verhagen. Kërkesa e Shqipërisë për statusin kandidat dhe debati nëse bëhet fjalë për çështje teknike apo politike, ka përçarë unitetin te vendet anëtare. Për rrjedhojë nuk ka qëndrim të përbashkët unanim të Këshillit të BE-së çfarë është e domosdoshme për t‘i përcjellë aplikimin e Shqipërisë, Komisionit. "Nuk ka ende unanimitet për këtë. Disa vende mendojnë se nuk është vetëm teknike, por dhe politike kjo çështje, duke argumentuar se Shqipëria insiston për rëndësinë e dhënies së mandatit ndaj Komisionit. Tetori nuk rezulton muaj i suksesshëm për unanimitetin, megjithëse pati presione, por Presidenca na la të kuptohet se kjo gjë mund të arrihej gjatë muajit nëntor", thekson ministri i Jashtëm slloven Samuel Zbogar. Ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner, tha se "i kërkuam miqve tanë gjermanë të mos ngatërrojnë politikën me tekniken. T‘i kalosh kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim Komisionit është një gjest normal dhe teknik. Nuk kemi pse të gjykojmë politikisht në një vend apo një tjetër për këtë kalim të domosdoshëm. Sigurisht që gjermanët na u përgjigjën nëpërmjet mikut tonë Frank Ëalter Steinmeier, i cili vinte për herë të fundit, që është një problem ku Parlamenti gjerman ka fjalën e vet për të thënë dhe që Parlamenti nuk është mbledhur ende, por do të mblidhet së shpejti". Kryediplomati italian, Franko Fratini, u shpreh se "ripërsërita që kërkesa e Shqipërisë t‘i transmetohet pa vonesa Komisionit Europian. Ju e dini që ka një problem me konsultimin parlamentar të Bundestagut gjerman, i cili po mblidhet për herë të parë në këto orë që po flasim". Prandaj, vijoi ai, dhe mbrëmë në darkë nuk mundëm të marrim asnjë vendim, i cili nuk është politik, por bëhet fjalë për një vendim teknik siç ndodhi dhe me Malin e Zi. "Pra uroj që kjo çështje të kalojë pa diskutime të mëtejshme, si pikë A, në muajin e ardhshëm, në mënyrë që kërkesa e Shqipërisë t‘i transmetohet për shqyrtim Komisionit Europian", theksoi Fratini.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›