E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Bojkoti i PS po mban peng gjykatat administrative

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, deklaroi dje se bojkoti i opozitës pengon miratimin e ligjit për krijimin e gjykatave administrative. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, priti dje një përfaqësi të koalicionit në përkrahje të Gjykatës Administrative, në përbërje të të cilit janë rreth 35 organizata biznesi. Drejtuesit e Dhomës së Tregtisë së Tiranës, të Dhomës Amerikane të Tregtisë, Dhomës Britanike, të Konfindustrias dhe biznesit të vogël diskutuan për përpjekjet e tyre për miratimin sa më parë në Parlament të ligjit për Gjykatën Administrative. Duke e konsideruar si shumë të rëndësishëm këtë ligj, Kryetarja e Kuvendit shprehu jo vetëm mbështetjen ndaj këtij ligji, por tha se ky ligj është në rend të ditës së punës së Parlamentit dhe do të votohet në momentin e parë që konfigurimi i Parlamentit të plotësohet, pasi për këtë ligj kërkohen tre të pestat e votave. Përfaqësuesit e koalicionit, duke qenë të ndërgjegjshëm se ky ligj kërkon një shumicë të cilësuar, shprehën shqetësimin e tyre për pamundësinë e miratimit të këtij ligji, të cilin e cilësuan si një ligj thelbësor të reformës në drejtësi, nga i cili nuk përfitojnë vetëm bizneset, por të gjithë qytetarët. Duke theksuar se Shqipëria është i vetmi vend në Europë që nuk ka një Gjykatë Administrative, përfaqësuesit e koalicionit thanë se ngritja e kësaj gjykate do të përmirësojë ndjeshëm edhe klimën e biznesit në Shqipëri e do të nxisë më tej investimet e huaja. Kryetarja e Kuvendit, duke e cilësuar këtë ligj si produkt i një procesi serioz, tha se është në interes të Parlamentit miratimi i tij sa më parë, duke u garantuar përfaqësuesve të koalicionit përkrahjen e saj, jo vetëm për këtë ligj, por për çdo iniciativë që ndikon në përmirësimin e kushteve për biznesin dhe sigurinë e investimeve vendase dhe të huaja. Ndërkohë, tetë nisma të ndryshme të qeverisë për ndryshimin e kodeve presin miratimin. Mazhoranca ka renditur në kalendarin e punimeve si afat që deri më 16 nëntor të votohen disa prej ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar votash me 84 vota. Kodet Civile, Penale, Ajrore, Rrugore, Detare, Hekurudhore presin që të votohen nga Kuvendi dhe që janë paraqitur nga ana e qeverisë prej më se një viti. Në programin e punimeve parlamentare për t‘u shqyrtuar janë edhe projektligji "Për krijimin e Gjykatës Administrative", si dhe "Për administratën gjyqësore", të cilat kërkojnë një shumicë të cilësuar votash. Projektligjet e propozuara për ndryshimin e "Kodit Penal" dhe "Kodit Civil" janë paraqitur nga qeveria që më 11 maj të vitit 2005, të cilat janë më të hershmet, më pas vijnë kërkesat për amendimet e Kodeve Rrugore, Hekurudhore dhe Detare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›