Kërkesa për statusin, në axhendën e suedezëve
Shqyrtimi i aplikimit të Shqipërisë për statusin kandidat është përfshirë nga Presidenca Suedeze në axhendën e diskutimeve të përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Siç raporton "Top Channel", mbledhja e këtij komiteti i paraprin takimit të ministrave europianë të Transporteve, Telekomunikacioneve dhe Energjisë. Sipas axhendës, nëse vendet anëtare bien dakord paraprakisht për t‘i dhënë mandat Komisionit Europian që të nisë procesin e përgatitjes së opinionit mbi gatishmërinë e Shqipërisë për të fituar statusin kandidat, ky vendim do të bëhej publik më 9 tetor, si pikë A, në konkluzionet e Këshillit të radhës së Ministrave. Me pikë A, në terminologjinë e BE-së nënkuptohen të gjitha ato çështje që miratohen pa diskutime të mëtejshme në këshillin e parë të ministrave. Por, burime diplomatike tregojnë se përveç Gjermanisë, e cila pengonte deri më sot shqyrtimin e aplikimit, edhe vende të tjera anëtare, si Holanda, kanë shprehur rezerva për këtë propozim, duke rrezikuar shqyrtimin e aplikimit edhe këtë radhë. Sipas burimeve konfidenciale, këto vende kërkojnë që ky proces të kalojë për diskutim pas publikimit të raporteve të progresit nga Komisioni Europian që është caktuar më 14 tetor. Kjo është hera e parë, gjithsesi, që shqyrtimi i kandidaturës së Shqipërisë përfshihet zyrtarisht në axhendën e takimeve të vendeve anëtare. Tentativat e mëparshme të Presidencës Suedeze kanë dështuar, pasi fillimisht Brukseli nuk ka dashur që vendimi të merrej gjatë apo menjëherë pas procesit elektoral në Shqipëri. E më pas edhe për shkak të zgjedhjeve në Gjermani dhe ndjeshmërisë së elektoratit vendas ndaj politikës europiane të zgjerimit. Shqipëria aplikoi për statusin kandidat më 28 prill 2009, gjatë Presidencës Çeke të Bashkimit Europian, megjithëse komisioni këshilloi në atë kohë që të mos hidhej ky hap. Aplikimi i Shqipërisë qëndron në sirtarët e burokracisë europiane prej gati 6 muajsh, duke shënuar periudhën më të zvarritur në rajon për shqyrtimin nga vendet anëtare të Bashkimit Europian. Për rastin e Malit të Zi, BE-ja dha pëlqimin brenda 5 muajve, për Kroacinë pas 2 muajve, po kështu për Maqedoninë, pa përmendur Islandën, e cila aplikoi në korrik, pra, pas Shqipërisë, ku Këshilli i BE-së brenda 3 ditëve i dha menjëherë mandat komisionit për përgatitjen e opinionit mbi këtë kandidaturë.