Konsulli grek: Vizat, pas 18 muajsh
Konsulli i ri grek në Korçë, Theodhoros Ikonomu Kamarinos, deklaroi dje se zgjidhja e problemit të vizave për shqiptarët mund të vijë vetëm pas 18 muajsh. Këtë periudhë kohe ai e ka njehsuar me procesin për integrim që duhet të kalojë shteti shqiptar, ku përfshihet edhe çështja e liberalizimit të vizave. Konsulli grek në Korçë i sapoemëruar e ka bërë këtë deklaratë gjatë një takimi me kreun e Qarkut të Korçës, Ilo Milo, ku është shprehur se zyrat konsullore nuk duhet të shihen si fabrika për prodhim të vizave, por si institucione të shteteve që synojnë programe sociale dhe vendosjen e marrëdhënieve mes palëve. "Mund të bëhet diçka për lehtësimin në drejtim të vizave. Megjithatë ka probleme me lëshimin e tyre, të cilat i detyrohen dhënies së vështirë, për shkak të sistemit Shengen. Zgjidhja për Shqipërinë do të vijë në një kohë të shkurtër, për 18 muaj, pas së cilës do të ketë heqje të vizave", tha konsulli. Por, shtoi ai, deri në atë moment do të bëjmë përpjekje për të krijuar lehtësi në dhënien e vizave. "Duhet të kuptoni se ekzistenca e një konsullate ka më shumë lidhje me programet sociale dhe marrëdhëniet mes vendeve se sa me dhënien e vizave. Konsullata nuk është një fabrikë ku vetëm prodhohen e lëshohen viza", theksoi konsulli grek gjatë takimit të tij të parë zyrtar. Theodhoros Ikonomu Kamarinos tha se pritet të ketë lehtësime në dhënien e vizave, por ka pranuar se ky proces është me probleme dhe i vështirë, për shkak të kushteve për vizat Shengen dhe procese integruese të vendeve. Edhe pse ai ka garantuar mbështetjen e shtetit fqinj Greqisë, ai u shpreh se sistemi i vizave do të hiqet në një kohë që për fqinjët konsiderohet relativisht e shkurtër, edhe pse përmendi si afat një periudhë 18-mujore, në të cilën vendi ynë duhet të japë provat për plotësimin e kushteve të ndërkombëtarëve. Konsulli grek i është referuar më tepër çështjes së vizave në këtë takim të parë të tij, nisur edhe nga fakti se mbetet një nga pikat më të ndjeshme për shqiptarët. Ndër të tjera, ai garantoi bashkëpunimin në sektorë të ndryshëm. Ikonomu u shpreh se problemet me vizat do të marrin fund pas heqjes së tyre, ndërkohë që zyrat konsullore do të vazhdojnë të punojnë si pjesë e marrëdhënieve diplomatike. J.Dhimitri