Kërkesat, 21 invalidë ngujohen në grevë urie
Personat me aftësi të kufizuara kanë marrë dje vendimin ekstrem për plotësimin e kërkesave të tyre, duke u futur në grevë urie. Pasi kanë bërë disa protesta para Kryeministrisë dhe Ministrisë së Punës, të cilat kanë rezultuar të pasuksesshme, qoftë edhe për të marrë një afat se kur do t’u përmbushen kërkesat, 21 persona me aftësi të kufizuara para dhe tetraplegjikë kanë vendosur të hyjnë në një grevë urie. Tashmë ata kërkojnë nga strukturat përkatëse, në veçanti nga Ministria e Punës, që të rishikojë ndihmën ekonomike, paketën higjieno-sanitare, për më shumë se 5 mijë persona para dhe tatraplegjikë. “Kërkojmë rritjen e pagesës së paaftësisë, pasi një paraplegjik i ka hallet shumë të mëdha dhe me 9500 lekë të vjetra nuk të shërben asnjë njeri. Kërkojmë strehimin, sepse pjesa më e madhe e paraplegjikëve kanë aderuar në Tiranë për një klimë më të mirë. Që në fillimet tona paketa higjieno-sanitare ka qenë gjithmonë për 30 mijë lekë, sepse kostoja ditore është 1 mijë lekë në ditë. Ajo është diçka e domosdoshme, sepse pa atë paketë higjieno-sanitare paraplegjikët nuk mund të lëvizin në asnjë moment”, - pohoi kryetarja e Shoqatës së Paraplegjikëve, Mybere Prizereni. Megjithë gjendjen e tyre shëndetësore, e cila nuk e përballon dot grevën e urisë, personat me aftësi të kufizuara, të cilët po e zhvillojnë grevën në ambientet e shoqatës së tetra dhe paraplegjikëve në Laprakë, deklarojnë se nuk do të dalin nga greva pa u plotësuar kërkesat e tyre. Sipas tyre, marrja e një vendimi të tillë vjen pas protestave të shumta para Kryeministrisë dhe mosmarrja e një përgjigjeje siç duan ata nga institucionet përkatëse. Në fakt, Ministria e Punës në një sqarim të mëparshëm për këtë çështje ka deklaruar se po ndjek me rigorozitet realizimin e objektivave të përcaktuara në Planin Kombëtar të Veprimit për PAK që shtrihet deri në vitin 2015, në të gjitha fushat. Sipas Ministrisë së Punës, duke filluar nga dhjetori 2010, pagesat për kategoritë e PAK janë indeksuar dhe konkretisht: pagesa e personave para dhe tetraplegjikë shkoi në 9 200 lekë, nga 8 700 lekë që ishte; për kujdestarët e kësaj kategorie, pagesa shkoi në 9 500 lekë të reja, nga 9 200 lekë në vitin 2009, dhe shteti kontribuon me pagesën e sigurimeve shoqërore, me qëllim njohjen e periudhës për efekt pensioni. Po ashtu, Ministria e Punës ka sqaruar se, bazuar në vendimet e Këshillit të Ministrave, këto pagesa janë indeksuar me indeksin e çmimeve të konsumit, që konkretisht rezulton në indeksimin e pagesave të personave para dhe tetraplegjikë në masën 3.5%.