Të përndjekurit, 352 emrat që marrin dëmshpërblim
Miratohet dëmshpërblimi financiar për 352 ish-të dënuar politikë të regjimit komunist. Vendimi është marrë dje nga Këshilli i Ministrave, dhe ndër të tjera kryeministri Berisha veçoi vendimin për lëvrimin e 1.3 miliardë lekëve të tjera për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë, ku do të përparësohen të gjithë personat mbi 75 vjeç të këtij komuniteti. Sipas vendimit të qeverisë, është miratuar dëmshpërblimi financiar për 319 ish-të dënuarit politikë dhe për familjarët e të dënuarve me dënim kapital, 23 për dënim kapital dhe 10 që nuk kanë të drejtën e marrjes së dëmshpërblimit në lekë, pasi kanë përfituar nga ligje të mëparshme. Masa e dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë dhe familjarët e të dënuarve me dënim kapital do të bëhet me këste, sipas kritereve e kufijve të përcaktuar në nenin 12 të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar. Shuma e llogaritur transferohet në një llogari speciale në Bankën e Shqipërisë, ndërsa pagesa e dëmshpërblimit për secilin përfitues do të bëhet nga Ministria e Financave, në llogaritë personale të këtyre përfituesve, të hapura në bankat e nivelit të dytë, të përzgjedhura sipas nenit 33 të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, të ndryshuar.