Kërkesat e EULEX’it
Shefi i ICO’së, Pieter Feith dhe ai i EULEX’it, Xavier de Marnak kanë takuar të premten Presidentin Behgjet Pacolli, për “Rastin Limaj”, duke i sugjeruar këtij të fundit që të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese interpretim nëse Nënkryetarit të PDK’së mund t’i merret imuniteti prej deputeti.
Sipas burimeve të Klan Kosovës, Pacolli u ka thënë dy zyrtarëve ndërkombëtarë se nuk është në përgjegjësinë e Presidentit të kërkojë interpretim nga Gjykata Kushtetuese për heqjen ose jo të imunitetit të deputetit.
Pacolli u ka thënë zyrtarëve të BE’së se çështja e imunitetit të Limajt duhet t’i adresohet Kuvendit.
Gjatë ditës, Pacolli ka thënë se nuk ka asnjë informacion nëse veteranët kanë kryer krime gjatë luftës.
“Unë nuk kam fakte, nuk kam lexuar asgjë prej fakteve që EULEX’i, gjegjësisht organet e drejtësisë kanë mbi njerëzit që janë arrestuar”, ka thënë Pacolli.
Pacolli ka kërkuar respektim të Kushtetutës në rast të arrestimeve të reja.
“Nëse është në pyetje shkelja e Kushtetutës, atëherë të respektohet 100 për qind Kushtetuta e Kosovës”, ka thënë Pacolli.
Takimin e Presidentit me Feithin dhe Marnackun e ka konfirmuar edhe Këshilltari i Parë i Pacollit, Ibrahim Gashi, i cili e ka cilësuar të natyrshëm këtë takim.
Edhe ICO’ja e ka konfirmuar takimin e Feithit me Pacollin, derisa zyrtarët e EULEX’it kanë thënë se nuk janë në dijeni nëse shefi i tyre është takuar me Presidentin e Kosovës.
EULEX’i një javë më parë arrestoi tetë pjesëtarë të ish-UÇK’së dhe lëshoi fletarrestim për deputetin Fatmir Limaj. Ai nuk u arrestua për shkak se Kushtetuta nuk lejon prangosjen e deputetëve, por drejtësia mund të zhvillojë të gjitha procedurat penale ndaj të zgjedhurve të popullit.