E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkesat, largimi i Berishës dhe zgjedhje të reja

18/02/2011  Protesta, Opozita e Bashkuar dhe mbështetësit e saj sot në sheshin përpara Kryeministrisë

Rama: Kjo kusari në pushtet s’ka parti, s’ka fe, s’ka atdhe. I grabit të gjithë njësoj

Sheshi përpara Kryeministrisë do të mbledhë sërish sot partitë opozitare dhe mbështetësit e saj për të kërkuar largimin e qeverisë “Berisha” dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Pasditen e sotme qytetarë të Tiranës dhe të rretheve të ndryshme të vendit, të udhëhequr nga Opozita e Bashkuar do të kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Berisha. Ndërkohë që dje, vetë kreu socialist Edi Rama, në një dalje publike ftoi të gjithë qytetarët të jenë pjesë e kësaj proteste.

Tubimi

Megjithëse nuk janë bërë të ditura detajet mbi të cilat do të organizohet manifestimi i sotëm, pritet që protestuesit të ndjekin të njëjtin itinerar që është ndjekur si zakonisht në tubimet e organizuara nga Partia Socialiste, përjashtuar këtu demonstratën e 21 janarit. Kështu, qytetarët që do të vijnë nga qarqe të ndryshme të vendit do të vërshojnë rrugëve të kryeqytetit, sipas drejtimeve hyrëse në të. Ndërkohë që bashkimi i të gjithë protestuesve mësohet të bëhet në bulevardin “Dëshmorit e Kombit”, për t’u drejtuar më pas në sheshin përpara godinës së Kryeministrisë. Flamujt dhe pankartat do të jenë sërish elementët kyç të këtij tubimi, ku nuk do të kursehen akuzat dhe kritikat për mazhorancën qeverisëse. Madje në thirrjet e protestuesve një vend të veçantë do të zërë dhe vrasja e katër demonstruesve më 21 janar. Njëkohësisht do të jenë dhe drejtuesit e majtë, ata të cilët në ligjërimet e tyre do t’i kundërvihen keqqeverisjes. Gjithashtu fjalime pritet të mbahen dhe nga përfaqësues të shoqërisë civile.

Deklarata

“Në orën 4 ne do të jemi në bulevard me këdo që dëshiron të demonstrojë paqësisht, por vendosmërisht për largimin e Saliut dhe zgjedhje të reja, të lira e të ndershme. Do të jemi në bulevard për këdo që sot nuk e shtyn dot me jetën e përditshme, për shkak të vuajtjeve e vështirësive të pafundme që regjimi vrastar i kusarisë shton përditë mbi kurrizin e shqiptarëve të zakonshëm”. Kështu u shpreh dje kreu i PS-së, Edi Rama, gjatë deklaratës së tij për shtyp. Njëkohësisht, duke i mëshuar më tej një momenti të tillë, Rama shtoi se “do të jemi në protestë me këdo e për këdo që sot nuk përballon dot më çmimet e ushqimit të përditshëm, të cilat rriten përditë, sepse ata që vodhën zgjedhjet po e vjedhin përditë Shqipërinë, duke zbrazur xhepat e familjeve të zakonshme të këtij vendi dhe duke vrarë edhe të ardhmen e këtij vendi”. Sipas tij, cilido që nuk duron dot më të jetë i papunë duhet të vijë në shesh kundër qeverisë. “Kjo kusari në pushtet s’ka parti, s’ka fe, s’ka atdhe. I grabit të gjithë njësoj, socialistët e demokratët e zakonshëm”, vuri në dukje Rama lidhur me një çështje të tillë.

Kërkesa në polici

Partia Socialiste dorëzoi në policinë e kryeqytetit kërkesën për demonstratën paqësore të datës 18 shkurt. Kjo demonstratë, sipas kërkesës së PS, do të nisë në orën 16.00 dhe nuk ka një orar fiks se kur do të përfundojë. Policia njofton se do të jetë i bllokuar ditën e premte vetëm bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Forcat e rendit do të jenë të pranishme në çdo rrugë kryesore dhe në çdo institucion shtetëror.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›