E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fieri qytet me ndotje të madhe akustike

18/02/2011  Banorët nën stres të vazhdueshëm, u premtua ndërhyrje asgjë s’ka ndryshuar

FIER- Megjithëse disa herë i është mëshuar problemit të ndotjes akustike, ky problem në qytetin e Fierit duket se po merr përmasa. Përditë e më shumë ndotja akustike po kthehet në një makth për qytetarët, ndërsa ende nuk po gjendet një zgjidhje për ta minimizuar atë. Janë në të vërtetë automjetet jashtë parametrave ato që bëhen burim zhurmash, por kësaj të përditshmeje i shtohen padyshim edhe subjektet që operojnë në qytet.

Ndotja

Këto janë subjektet si këpucari, torno, zdrukthëtari, saldatriçe etj. “Nuk mund të jetojmë në këtë stres të përhershëm. Jemi ankuar disa herë dhe asgjë nuk është bërë. Na kanë premtuar se do marrin masa deri në mbylljen e këtyre burimeve të zhurmës, por gjithçka ka mbetur në kuadrin e fjalëve. Nuk flemë dot. Diku makinat, diku diskot, diku këto fabrikat dhe punishtet që prodhojnë zhurmë dhe kjo na sjell vetëm stres”,- ka deklaruar Fahrie Bala, një banore e lagjes “Apolonia”. Në të vërtetë banorët kanë kërkuar që për këto subjekte të bëhet një grafik pune, pasi këto punishte punojnë pa orare, madje deri në orët e vona. Por, ajo çka vihet re, është fakti që përballë kësaj katastrofe zhurmërimash, heshtin institucionet përkatëse. E vetmja Agjenci Mjedisore që ka një plan të qartë veprimi duket se këto kohë ka rënë në paralizë të plotë duke u servirur qytetarëve të njëjtën situatë. Ndërkohë përgjegjësja e kësaj agjencie, Angjelina Mërtiri, ka deklaruar herë pas here se masat do të jenë drastike për ato subjektet që operojnë pa një leje mjedisore, e cila nënkupton edhe ndotjen e mjedisit edhe atë akustike. Ndërkohë Mërtiri ka deklaruar gjithashtu se për ato subjekte që gjenden me shkelje të kritereve bazë në marrëveshjes, do të aplikohen gjoba deri në miliona lekë. “Ne po punojmë që të vëmë përpara ligjit të gjitha ato subjekte që ndotin mjedisin dhe që me apo pa dashje rëndojnë në qetësinë e qytetarëve. Nëse do të gjejmë subjekte të tilla që bëhen burim zhurmash, ose do t’i mbyllim, ose do t’i zhvendosim”,- kështu ka deklaruar përpara pak kohësh drejtoresha, ndërsa sot e kësaj dite situata nuk ka ndryshuar. Në të vërtetë ne kemi kërkuar një tjetër sqarim nga shefja e mjedisit, por në asnjërën prej ditëve nuk është e lehtë ta gjesh në zyrë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›