E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesë padia e re e PS, Xhafaj: Kemi ende besim tek drejtësia

TIRANE- Partia Socialiste e konsideron si të plotë kërkesë padinë e re të dorëzuar në Kolegjin Zgjedhor dhe shpreson që në ndryshim nga dy vendimet e mëparshme Kolegji të Rrëzojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sekretari Ligjor i socialistëve Fatmir Xhafaj në një intervistë, shprehet se kërkesë padia është e plotë dhe provat e vjedhjes nga KQZ-ja janë publike për të gjithë shqiptarët. Ne kemi ende besim tek drejtësia dhe Kolegji, për të vendosur drejtësi, jo vetëm për këtë cështje, por për t’i rikthyer dinjitetin e humbur këtij sistemi, tha Xhafaj. Arkitekti socialist i betejës ligjore shprehu edhe njëherë pakënaqësinë për vendimin e fundit të Kolegjit Zgjedhor, duke e konsideruar si të paramenduar.

“Dëshiroj të besoj që ky gjykim që kemi përpara nuk do të jetë i ngjashëm me këtë gjykim dhe nuk ka si të jetë i ngjashëm, për shkak se cështja do të gjykohet në themel dhe provat, faktet të cilat tashëm janë publike nuk ka Kolegj që t’i mohojë, nëse do të ketë vullnet, përgjegjshmëri për të zbatuar Kushtetutën dhe Ligjin. I mbetet Kolegjit Zgjedhor, i cili do të shqyrtojë cështjen e radhës të provojë që nuk është blerë, nuk është korruptuar”, tha Xhafaj.

Përsa i përket sugjerimit për të përfshirë Komisionin e Venecias, për dhënien e një mendimi për procedurat ligjore, deputeti socialist tha se opozita e mirëpret këtë sugjerim të ndërkombëtarëve, por nuk u shpreh optimist se kjo do të ndodhë, pasi PD nuk është shprehur në favor të saj.

“Në këtë kontekst më duket një këshillë e mençur kjo, por natyrisht e mundshme, por kjo kërkon detyrimisht pranimin nga të gjitha palët. Gjykoj se një gjë të tillë nuk do ta pranojë Sali Berisha, sepse ai di të vërtetën. Kësaj i thonë t’i thuash hajdutit, prano vjedhjen”, shtoi Xhafa më tej.

Kolegji Zgjedhor do të japë vendim për kërkesë padinë e tretë të Partisë Socialiste ditën e hënë. Ky vendim konsiderohet edhe si mundësia e fundit ligjore për socialistët, për të drejtuar Bashkinë e Tiranës në katër vitet në vazhdim.
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›