E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkimet për 6- vjecaren, operacion i përbashkët i policisë kosovare dhe asaj shqiptare

Mbi 100 zyrtarë policie të njësiteve të ndryshme të Policisë së Shqipërisë- Drejtoria e Qarkut në Kukës, Policisë dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës kanë realizuar një operacion të përbashkët kërkimi për 6 vjeçaren Bleona Mata nga Zapodi i Kukësit.

Pas kërkimeve që janë bërë në zonën e Kukësit, në afërsi të zonës kufitare me Kosovën, po ashtu është zhvilluar edhe një operacion kërkimi edhe brenda territorit të Kosovës. Forcat e përbashkëta të policisës kanë kërkuar në një rrethinë malore prej më shumë se 10 kilometra katror në afërsi të fshatit Krstec-Komuna e Dragashit.

Kërkimi për gjetjen e vajzës së humbur filloi në ora 10:00 duke përfunduar rreth orës 17:00. Krahas Njësitit Special Operativ, policisë kufitare të PK-së, njësiteve të ndryshme patrulluese të stacionit policor të Dragashit dhe zyrtarëve të policisë nga Drejtoria e Qarkut Kukës, në këtë operacion kërkim-shpëtimi morën pjesë edhe pjesëtarë të FSK-së.

Kërkimi u organizua nga grupe të ndryshme zyrtarësh nëpër terrenin malor të fshatit Krstec, që ndodhet afër kufirit me Republikën e Shqipërisë.

Edhe pse kërkimi ishte shtrirë në një zonë të gjerë malore, zyrtarët që morën pjesë në këtë operacion nuk arritën të gjenin ndonjë gjurmë të 6 vjeçares Mata.

Policia e Shqipërisë ka vënë në dispozicion edhe një shpërblim në të holla për të gjithë ata që kanë ndonjë informacion që mund të çojë deri te gjetja e kësaj vajze.Edhe Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve të rrethit të Prizrenit dhe më gjerë, që nëse kanë ndonjë informacion për Bleonën të kontaktojnë stacionin më të afërt policor.

Bul Salihu Azhornuar së fundi ( e hënë , 07 qershor 2010 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›