E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkimet për peshkatarët e humbur, pa rezultat edhe në ditën e dytë

>Dita e dytë e kërkimeve të peshkatarëve të humbur nga Vlora, nuk ka dhënë asnjë rezultat pozitiv për forcat e shpëtimit të angazhuara si nga Shqipëria, Mali i Zi, dhe Bari i Italisë. Kërkimet janë ndërprerë pasdite vonë, për të rifilluar sërish në të gdhirë të ditës së sotme. Mali i Zi ka ndërprerë kërkimet për gomonen me 3 shqiptarët, e zhdukur mes ujërave të Adriatikut, ndërkohë që avioni nga Bari i vënë në dispozicion mësohet se ka vazhduar kërkimet edhe gjatë natës së mbrëmshme. Edhe pas kërkimeve intensive nga policia shqiptare, kroate dhe malazeze ende nuk është arritur të gjendet asnjë gjurmë e gomones, ndërkohë që familjarët kanë apeluar për mos ndërprerjen e kërkimeve deri në gjetjen e familjarëve. Në ndihmë të kërkimeve u deklarua zyrtarisht se do të vihej një avioni nga Bari, i specializuar për kërkime të tilla. Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë Kroate, Vladimir Faber, përmes një komunikimi zyrtar ka informuar se autoritetet kroate po bëjnë gjithçka për të ndihmuar në kërkimin e mjetit lundrues me tre peshkatarë nga Vlora. Drejtoria e përgjithshme e Policisë së Shtetit Shqiptar bëri të ditur se z. Faber ka informuar se përveç Zyrës Qendrore Kombëtare Kroate për Kërkimin dhe Shpëtimin në kërkimet në det janë përfshirë dhe Autoritetet e Portit të Dubrovnikut dhe Rajoni Policor i Dubrovnikut. Ndërkohë, që Zyra Qendrore Kombëtare Kroate për kërkimin dhe shpëtimin në det dhe Policia Kroate janë në kontakt me Qendrën Kombëtare Malazeze të Kërkimit e Shpëtimit.
Alarmi fals
Forcat e shpëtimit janë kthyer të dëshpëruar nga bregdeti malazez, ku u mendua se ishte gomonia me 3 shtetasit e humbur prej 3 ditësh. Lajmi që u dha mesditën e djeshme nga policia bregdetare, ka rënë poshtë po prej saj. "Kur janë afruar tek mjeti që konstatuan marinsat kanë parë se nuk bëhej fjalë për gomonen e humbur". Kështu është shprehur drejtori i policisë kufitare të Shkodrës. Ndërkohë që kanë vazhduar edhe më pas kërkimet megjithëse shpresa për gjetjen e tyre sa vijnë e zvogëlohen. Dy helikopterë kanë kontrolluar gjatë gjithë ditës së djeshme nga ajri gjithë bregdetin e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kroacisë. Po kështu 3 anije në det kanë qenë në kërkim të vazhdueshëm për gomonen e humbur si dhe disa motoskafe të policisë kufitare shqiptare dhe malazeze. Gomonia ishte nisur ditën e diel nga porti i Vlorës dhe siç njoftojnë familjarët tre personat që gjendeshin në të kanë dalë për peshkim. Aktualisht dihet se njëri nga personat që gjenden në gomone ka dhënë alarmin se po mbytemi dhe se gomonia ka humbur drejtimin për shkak të erërave të forta detare. Njoftimi u dha mesditën e së martës, kur shtetasi Romeo Pulizi që dha alarmin ka folur disa herë me autoritetet portale të Vlorës gjatë këtyre dy ditëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›