E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD: Rregulla strikte për gjyqtarët

Këshilli i Lartë i Drejtësisë
ka vendosur që seancat
gjyqësore të mos zhvillohen
në zyrat e gjyqtarëve, apo në
ambiente që nuk kanë simbolet e
Republikës së Shqipërisë. Me një
vendim të posaçëm, që ka hyrë në
fuqi në datën 1 janar 2009, KLDja
urdhëron të gjitha gjykatat në
zhvillimin e procesit gjyqësor në
respektim të disa standardeve si:
vendi i posaçëm dhe kushtet e
zhvillimit të gjykimit, veshja e
posaçme dhe sjellja e përshtatshme
e subjekteve të pranishëm.
"Të gjitha proceset gjyqësore, për
sa është e mundur, duhet të zhvillohen
në salla gjykimi, të përshtatshme
për natyrën e çështjes
konkrete. Çdo sallë gjykimi, ndër
të tjera, duhet të jetë e pajisur me
këto elemente treguese të solemnitetit
gjyqësor: Stemën e Republikës
së Shqipërisë, e pozicionuar
në pjesën e sipërme të murit që
gjendet pas podiumit ku qëndron
gjykata, flamurin kombëtar, i
pozicionuar në anën e djathtë të
sallës, në krah të podiumit ku qëndron
gjykata, një barrierë prej
druri, ose materiali tjetër, që shërben
si ndarje mes sipërfaqes së
sallës ku qëndron publiku dhe
pjesës së saj ku qëndrojnë subjektet
pjesëmarrëse në gjykim", deklaron
KLD-ja. Sipas saj, çdo sallë
gjykimi duhet të pajiset me një
vend të posaçëm për qëndrimin
e dëshmitarit, ekspertit dhe përkthyesit.
Veshja e posaçme
në gjykim
Gjyqtari, gjatë zhvillimit të
proceseve gjyqësore, duhet të
mbajë një veshje të posaçme sipas
një modeli uniform për
gjyqtarët e çdo niveli gjykimi.
"Toga e gjyqtarit është një veshje
me ngjyrë të zezë dhe me një
xhufkë në njërën anë të shpatullës
me ngjyrë të kuqe për
gjyqtarët e rretheve gjyqësore
dhe dy të tilla për gjyqtarët e
gjykatave të apeleve. Veshja e
përditshme e gjyqtarit/gjyqtares
në ambientet e ushtrimit të
detyrës, duhet të jetë serioze dhe
e përshtatshme për pozicionin e
tij/saj zyrtar", urdhëron Këshilli.
Sipas tij, sekretarja gjyqësore,
gjatë zhvillimit të proceseve
gjyqësore, mund të mbajë veshje
të posaçme, të ngjashme me atë
të gjyqtarit, me ngjyrë gri të errët.
Ndërsa sekretarja gjyqësore
duhet të demonstrojë seriozitet
në veshje në ambientet e punës
së kryer jashtë sallave, apo kohës
së zhvillimit të proceseve.
"Avokati dhe prokurori duhet të
marrin pjesë në proces të veshur
me togën e posaçme, sipas modelit
të përcaktuar përkatësisht
nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë
dhe Prokuroria e Përgjithshme.
Ndërsa palët e tjera pjesëmarrëse
në proces, apo personat
e pranishëm gjatë gjykimit, duhet
të mbajnë veshje të natyrës
serioze dhe që vlerësohen të përshtatshme
për ambientet e
gjykatës", thotë KLD-ja.
Solemniteti
Proceset gjyqësore, urdhëron
KLD-ja, duhet të fillojnë në respektim
të orarit të gjykimit, të
komunikuar dhe afishuar në
gjykatë, me përjashtim kur ka një
arsye të justifikuar. Sekretarja
gjyqësore thërret në orar subjektet
procedurale për fillimin e
gjykimit dhe i orienton për vendin
e zhvillimit të tij. Në momentin
e hyrjes në sallë të trupit
gjykues, të pranishmit ngrihen
në këmbë, nën njoftimin e sekretares
gjyqësore. Gjatë gjykimit,
vijon urdhri, palët pjesëmarrëse
duhet të mbajnë qëndrim korrekt
dhe sjellje që shpreh respekt për
trupin gjykues, duke evituar çdo
lloj veprimi të papërshtatshëm
në sjellje dhe në të shprehurit e
tyre si në komunikim me trupin
gjykues, me subjektet e tjera në
proces, apo të pranishmit në
sallë. Ndërsa komunikimi ndaj
trupit gjykues nga palët dhe të
pranishmit e tjerë në proces,
duhet të bëhet me ton të përshtatshëm,
duke iu drejtuar me
formën e mirësjelljes ‘Ju‘, ose me
shprehjen ‘I nderuar‘. Gjithashtu,
palët pjesëmarrëse në proces
duhet të flasin në këmbë përpara
gjykatës, po kështu edhe ekspertët,
apo dëshmitarët e thirrur
gjatë procedurës së betimit, me
përjashtim të rasteve kur gjendja
shëndetësore nuk ua lejon një gjë
të tillë. Nga ana tjetër, në çdo sallë
gjykimi duhet të jetë në dispozicion
një nëpunës gjyqësor, i cili
ngarkohet të kryejë veprimet: të
njoftojë praninë e gjykatës, të
ndihmojë në rregullimin e të
pranishmëve, të ndihmojë në
korrektimin e sjelljeve të përshtatshme
të personave të pranishëm
para gjykatës, të zbatojë
urdhrat e gjykatës për lëvizjen e
njerëzve në sallë dhe çdo veprim
tjetër që i shërben mbarëvajtjes
së normalitetit të procesit, në
zbatim të urdhrave të gjykatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›