Fermerët e Fierit, 500 kërkesa në prefekturë për titujt e pronësisë
>Në Prefekturën e Fierit kanë mbërritur rreth 500 kërkesa nga fermerë të ndryshëm, të cilët kërkojnë zgjidhjen e titujve të pronësisë. Prefekti i Qarkut Fier, Shahin Bejdaj, i cili qëndron në pozitat e mbikqyrjes së punës mbi këtë drejtori të krijuar rreth 6 muaj më parë, është shprehur se të gjitha këto kërkesa me dhënien e udhëzimeve përkatëse nga komisoni qendror i titujve të pronësisë dhe Ministria e Bujqësisë do të çojnë në verifikimin dhe zgjidhjen e tyre.
Mungesa e deritanishme e këtij udhëzimi ka qenë edhe arsyeja e kësaj vonese për fillimin nga kryerja e punës së këtij procesi. Për të gjitha kërkesat e paraqitura në prefekturë nga fermerët, kërkohet zgjidhja e problematikave që ata kanë ndeshur pas shpërndarjes së tokës bujqësore në bazë të ligjit 7501. "Ka një fluks të madh të kërkesave dhe ankesave që i janë drejtuar komisionit qendror të titujve të pronësisë së ngritur në prefekturën e Fierit për këtë qëllim. Ky numër ka arritur në 500 dhe ne kemi bërë seleksionimin për komisionin në varësi të kërkesave. Dosja përkatëse e çdo fermeri kërkon materiale shtesë që duhen nga ata persona të cilët kanë paraqitur ankesa, dhe së shpejti do të merret vendimi nga ana e komisionit. Fakti që deri tani nuk kemi marrë ndonjë vendim, ka lidhje me pritjen e disa problemeve teknike të përcaktuara nga komisioni teknik pranë Ministrisë së Bujqësisë, por besoj se shumë shpejt do të zgjidhen edhe këto kërkesa apo ankesa", është shprehur ndër të tjera prefekti Bejdaj, ndërsa ka siguruar fermerët se me nisjen e verifikimeve në terren për problemet që kanë paraqitur, do të marrin zgjidhje të shpejtë dhe konform ligjit. Madje, sipas Bejdajt, për komisionet e tokës së mëparshme që kanë kryer gabime apo do të konstatohen abuzime që kanë lënë pa normën e tokës së duhur fermerët, do të merren masa, madje këto të fundit mund të jenë edhe ekstreme, sipas ligjit për procedim penal.