E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkimi shkencor, rrezikohet djegia e fondeve për Shqipërinë

Profesorët dhe kërkuesit shqiptarë në fusha të ndryshme të shkencës duket se nuk i kanë parë me ndonjë interes të veçantë fondet evropiane për të zhvilluar hulumtime shkencore individuale ose në grup.

Në një mbledhje të organizuar pak kohë më parë në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës, ku ka marrë pjesë edhe këshilltari i Kryeministrit për Arsimin, Myqerem Tafaj, është diskutuar posaçërisht mbi ecurinë e kërkimit shkencor në vendin tonë, si dhe realizimin e projekteve kombëtare dhe atyre ndërkombëtare. Mësohet se aty është evidentuar fakti që aplikimet për kërkimin shkencor në kuadër të programeve evropiane janë minimale. Madje, është theksuar edhe fakti se kjo mungesë interesimi mund të sjellë për pasojë edhe djegien e fondeve, që mund të akordoheshin për Shqipërinë përmes aplikimeve të suksesshme të studiuesve apo shkencëtarëve shqiptarë.

Programi i Shtatë Kuadër (FP7) është konsideruar si më i madhi i BE-së me një buxhet prej mbi 50 bilionë eurosh, i cili shtrihet në një periudhë kohore 7-vjeçare (2007-2013).

Programi lejon financimin e projekteve në fusha strategjike si shëndetësi, energji, teknologjitë e informacionit, nanoteknologji apo transport. FP7 nxit edhe lëvizjen e kërkuesve shkencorë nëpërmjet grandeve Marie-Curi dhe përfshin programe speciale për mbështetjen e ndërtimit të kapaciteteve si kërkim, infrastrukturë, kërkim për biznese të vogla dhe të mesme, shkenca në shoqëri.

Në këtë program mund të aplikojnë edhe të gjitha mendjet e ditura të rajonit të Ballkanit Perëndimor, ku nuk bëjnë përjashtim as shqiptarët.

Ministria shqiptare e Arsimit, nga ana e saj, ka nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit me Komisionin Evropian, i cili e lejon plotësisht të marrë pjesë në Programin e Kërkimit Evropian, Programin e Shtatë Kuadër. Statusi i vendit të asociuar e lejon Shqipërinë të marrë pjesë në të gjitha propozimet për projekte dhe të konkurrojë me të njëjtin hap me vende pjesëtare të BE-së për bashkëpunim në kërkim dhe veprime suporti të mbështetura nga Programi i Shtatë Kuadër (FP7), që prej 1 janarit 2008.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje u vlerësua si një pjesë e rëndësishme për procesin e aplikimit për t‘iu bashkuar BE-së, duke lejuar shkencëtarët, universitetet dhe kompanitë të krijojnë lidhje me homologët e tyre në Evropë, të zhvillojnë më tej ekspertizën e tyre shkencore dhe të përfshihen në fusha shkencore thelbësore.

Komisioneri Evropian për Shkencën dhe Kërkimin, Janez Potočnik,

i cili nënshkroi këtë marrëveshje me ministrin e Arsimit të asaj kohe, Genc Pollo, theksoi se "vendet e Ballkanit Perëndimor kanë për të përfituar shumë duke marrë pjesë në FP7, si pjesë e perspektivës së tyre për t‘iu bashkuar BE-së". Sipas tij, "puna me shkencëtarët dhe kompanitë evropiane dhe me shkencëtarë dhe kompani në rajonin e tyre, do të sjellë shumë përfitime shkencore, të tregut dhe politike".

Megjithatë, duket se asgjë nga këto nuk ka mjaftuar që Shqipëria të bëhet konkurruese në fushën e kërkimit shkencor përballë vendeve të tjera të rajonit dhe ato evropiane.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›