Kërkohej për trafik, pranga 38-vjeçarit
GJIROKASTËR- Një shtetas i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare është vendosur në prangat e policisë. Sipas burimeve zyrtare mësohet se sot, efektivat e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për vendodhjen e shtetasit Dritan Nora, 38-vjeç kanë bërë të mundur kapjen e tij. Mësohet se ai qysh prej muajit tetor të vitit të kaluar, rezultonte i shpallur në kërkim për veprën penale të “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe për të njëjtën akuzë është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë me një vit heqje lirie. Dritan Nora është kapur në banesën e tij në fshatin Fushbardhë të rrethit Gjirokastër dhe më pas është bërë ndalimi i tij nga ana e Specialistëve të Seksionit të Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër.