Raporti IEA: Energjia çon botën drejt kolapsit
Raporti më i fundit në lidhje me situatën energjetike flet për një rritje me më shumë se 50 % të kërkesës per energji në gjithë botën, duke filluar që nga viti 2005 deri në 2030-ën.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, IEA, rritja e madhe e kërkesës do të udhëhiqet nga Kina dhe India, të dyja këto, vende që po përjetojnë një rritje të madhe të ekonomisë, e shoqëruar kjo e fundit edhe me një rritje të kërkesës.
Raporti thekson se kërkesa për energji elektrike do të rritet me gati 85 % në ato vende të cilat nuk janë anëtare të Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik, e njohur si OECD, vende këto që kanë një ekonomi më të dobët se 30 shtetet anëtare të organizatës, të cilat do të përjetojnë një rritje me gati 19 % të kërkesës.
“Duke supozuar se vendet do të vazhdojnë të përdorin të njëjtat politika dhe ligje, tregjet botërorë përgjithësisht do të përfshihen nga një krizë e cila do të japë efekte të pariparueshme në ekonomi”- thuhet në raport.
Ndërkaq, përsa i përket çmimeve të karburanteve, në raport theksohet se çmimet do të bien me 70 $ për fuçi në 2015 dhe deri në 2030 të rriten gradualisht deri në 113 $ për fuçi. Por spekulimet dhe gjendja gjeopolitike nuk mund të lërë jashtë këtij skenari idenë se mund të ndodhë e kundërta e parashikimeve, që nafta të arrijë në 186 $ për fuçi në 2030-ën. Në një kohë që shumë vende të botës bëjnë thirrje për prodhimin e energjisë nga burime alternative, si qymyri apo centralet bërthamore, kritikat në lidhje me politikat e munguara kanë qenë objekt debati në shumë forume ndërkombëtare ekonomike.