Rama, Berishës: Dialogo me minatorët
Tiranë- Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke shprehur mbështetjen për minatorët, që janë në ditën e 10-të të grevës së urisë, i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha të dialogojë me ta për plotësimin e kërkesave dhe të ndalë serialin e vdekjeve në miniera.
“Minatorët janë në ditën e 10-të të grevës së urisë dhe askush, asnjë qeveritar nuk sheh, nuk dëgjon dhe nuk kupton asgjë nga sakrifica 17-vjeçare e këtyre baballarëve, të cilët nuk arrijnë të ushqejnë më familjet e tyre, me bukë edhe pse punojnë si kafshë, duke i dhënë çdo muaj nga një kurban nëntokës së dalë nga çdo parametër sigurie”- tha Rama
në një konferencë për shtyp, duke sqaruar se protesat e tyre nuk do të përdoret për qëllime politike dhe për këtë kanë pritur një reagim nga qeveria për të dialoguer me ta.
Në emër të Partisë Socialiste dhe të shumicës se shqiptarëve, ai ka shprehur indinjatën për shpërdorimin 17-vjeçar të pasurive minierare të vendit, që me qeverisjen e Kryeministrit Berisha ka arritur pikën më kritike.
“Përpjekja jonë për të kaluar në Kuvendin e Shqipërisë një projekt-ligj shumë të arsyeshëm, i cili e zbuste disi situatën tejet të rëndë të minatorëve dhe të familjeve të tyre, u zmbraps në Komisionin e Ekonomisë, me “Jo”-në idioteske të një shumice parlamentare, të verbër, të shurdhër e krejtësisht të paaftë, për t’i kuptuar problemet e vendit dhe hallet e njerëzve”- tha Rama.
Ai ka kujtuar pensionin minimal të këtyre njerëzve, që është vetëm 67 mijë lekë të vjetra në muaj. Ndërkohë që propozimi i PS-së ishte që ai pension të shkonte në 100 mijë lekë në muaj, gjë që nuk u pranua.
“Sot dua t’i bëj një apel Kryeministrit të Shqipërisë, që të zbresë nga mali i gënjeshtrave me të cilat po i ushqen për ditë shqiptaret dhe shqiptarët dhe të hapë dialogun me këtë grup shoqëror të persekutuar tash 17 vjet, prej politikave të dështura, që në kohën e qeverisjes së tij, po shkaktojnë vdekje seriale në miniera”- shtoi Rama.
Sipas tij, është koha që Sali Berisha të kuptojë, se kjo pjesë e mbetur e mandatit të tij të dështuar, është kapitulli më i rrezikshëm i degradimit të një qeverisjeje të papërgjegjshme, të paaftë dhe të korruptuar.
Ai ka kërkuar që Berisha të tërhiqet nga qëndrimi refuzues për projekt-ligjin e PS-së, duke korrigjuar në sallën e Kuvendit mëkatin e përfaqësuesve të tij në Komisionin e Ekonomisë dhe duke e miratuar rritjen e pensionit të minatorëve, si hapin e parë drejt ndryshimit të një situate, ku korrupsioni po bën kërdinë. “Në këtë situatë, Qeveria e Sali Berishës nuk mund të bëj asgjë duke qenë e lidhur drejtpërdrejtë me interesat e atyre që sot quhen nga minatorët, mafia e minierave të Shqipërisë”- përfundoi Rama.